BULQIZË- Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë në Bulqizë, ku dyshohet se 61-vjeçari Urim Fiku është vrarë nga djali i tij, në bashkëpunim me nënën. Gazmir dhe Sadeta Fiku u arrestuan mesditën e sotme nga policia, si të dyshuarit kryesorë për krimin.
Sipas raportimeve, gjatë marrjes në pyetje, bashkëshortja e 61-vjeçarit dyshohet se ka rrëfyer edhe një nga motivet që mund të ketë çuar në ngjarjen e rëndë. Mësohet se para hetuesve ajo ka pretenduar se ngjarja lidhet me një motiv xhelozie pasi Urim Fiku, sipas saj, kishte krijuar një lidhje paralele me një grua tjetër.
Djali, Gazim Fiku, dyshohet se është personi që e ka qëlluar me pistoletë, ndërsa bashkëshortja e 61-vjeçarit, ka rrëfyer se ishte ajo fillimisht që e ka fshehur armën pas krimit. Më vonë, djali e ka fshehur diku tjetër. Po sipas raportimeve, djali Gazmir Fiku dyshohet se ka fshirë pamjet nga telefoni, në një tjetër përpjekje për të zhdukur të dhëna që mund të ndihmonin në zbardhjen e ngjarjes. Gjithashtu, dyshohet se djali i viktimës Gazmiri, i ka prerë me gërshërë rrobat që i kishin hequr të atit dhe më pas i ka hedhur në tualetin e banesës.
Fillimisht gruaja e viktimës Sadete Fiku dhe djali i tij, Gazmir Fiku njoftuan Policinë, duke pretenduar se 61-vjeçari ishte sulmuar dhe kafshuar nga një kafshë e egër dhe kanë transportuar në spitalin e Bulqizës. Më pas, ata kanë kërkuar tërheqjen e trupit për të vijuar me ceremoninë mortore. Por, nga ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se në pjesën e kraharorit viktima, ishte qëlluar me armë zjarri, duke hedhur poshtë versionin se ishte sulmuar nga kafsha e egër.
Menjëherë më pas, disa orë pas krimit, djali dhe bashkëshortja e 61-vjeçarit u arrestuan nga policia. Ata dyshohen për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.
Policia ka sekuestruar armën e krimit, si dhe veshjet që dyshohet se janë përdorur në përpjekjen për të zhdukur gjurmët e krimit. Ndërkohë, ijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rolin e secili prej të përfshirëve./ZËRI