ELBASAN- Një viktimë dhe 10 të plagosur është deri më tani bilanci i shpërthimit të fuqishëm në një pallat 5-katësh në Elbasan, ndërsa një tjetër person rezulton ende i zhdukur.
Mësohet se një 62-vjeçar, i identifikuar si Hamit Ibra, ka humbur kontaktet me familjarët dhe aktualisht po kërkohet për gjetjen e tij në rrënoja. Dyshohet se 62-vjeçari, baba i katër fëmijëve, në momentin e shpërthimit ndodhej në dhomën e tij të gjumit. Megjithatë, fati i tij vijon të mbetet mister, ndërsa deri më tani nuk ka një informacion zyrtar nga Policia lidhur me vendndodhjen e tij.
Për shkak të rrënojave dhe vështirësive në ndërhyrje, pritet angazhimi edhe i forcave të specializuara të kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura, për të vijuar operacionin për gjetjen e 62-vjeçarit.
Si pasojë e zjarrit mbeti viktima 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, e cila u gjet e pajetë brenda apartamentit të saj. Ndërkohë, 10 persona të tjerë, mes tyre edhe një fëmijë, të asfiksuar ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. /ZËRI