BRUKSEL- Komisioni Evropian ka vlerësuar përputhshmërinë e kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian, duke evidentuar përparimin e vendit në përafrimin e legjislacionit në fushën e politikës monetare.
Në Raportin e Progresit për Shqipërinë, një vëmendje e veçantë i kushtohet pavarësisë së bankës qendrore dhe kufizimeve ndaj financimit monetar të sektorit publik. Sipas vlerësimit të KE- së Shqipëria ka arritur një nivel të lartë përafrimi me legjislacionin evropian në këto fusha.
Raporti nënvizon gjithashtu rëndësinë e garantimit të pavarësisë institucionale të Bankës së Shqipërisë dhe ndalimit të aksesit të privilegjuar të sektorit publik në institucionet financiare.
Në këtë kontekst Komisioni Evropian evidenton edhe miratimin e ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë në tetor 2026 si pjesë të zhvillimeve në përafrimin e kuadrit ligjor vendas me kërkesat e Bashkimit Evropian.
“Për politikën monetare, Shqipëria ka një nivel të lartë të përafrimit me acquis- in e BE-së në lidhje me ndalimin e aksesit të privilegjuar të sektorit publik në institucionet financiare. Legjislacioni është i përafruar me acquis-in e BE-së për pavarësinë e bankës qendrore dhe ndalimin e financimit monetar të sektorit publik” thuhet në raport./ZËRI