ELBASAN- Shpërthimi i fuqishëm në pallatin 5 katësh në Elbasan u shoqërua me momente paniku dhe përpjekje për të shpëtuar personat që ndodheshin brenda banesave. Mes banorëve që u përballën me situatën ishte edhe një prej tyre i cili, sapo dëgjoi shpërthimin u nis me drejt shtëpisë për të nxjerrë familjarët e tij.
Në momentin e ngjarjes ai ndodhej në një lokal pranë pallatit. Me të mbërritur në banesë gjeti nënën dhe bashkëshorten, të cilat arriti t'i nxirrte jashtë nëpërmjet dyerve të ndryshme. Përpjekja për të ndihmuar edhe banorët e tjerë u bë e pamundur për shkak të tymit të dendur që kishte përfshirë ambientet.
Nëna e tij ndodhet aktualisht në spital pasi ka pësuar probleme me tensionin, ndërsa bashkëshortja është në gjendje të mirë shëndetësore. Banori rrëfen gjithashtu se në pallat ka pasur persona të tjerë të dëmtuar dhe se kishte dëgjuar për vdekjen e një gruaje të moshuar që jetonte në katin e katërt.
“Dëgjova zhurmën dhe u turra me vrap bashkë me shokun tim, ika në shtëpi. Shihja plakën që ishte e shtrirë, pashë edhe nusen. Kapa plakën dhe e nxora jashtë shumë shpejt, mora edhe nusen dhe e nxora nga dera tjetër. Dera e hyrjes kishte rënë në tokë, sepse unë i kam dy dyer dhe një tjetër. Doja të shpëtoja edhe të tjerët, por kishte shumë tym të zi dhe nuk hyja dot. Ka shumë dëmtime te njerëzit këtu. Më thanë se ka vdekur një grua në katin e katërt, e moshuar, për të tjerë nuk kam dëgjuar. Në spital shkoi edhe një familje tjetër. Erdhën, por i pyeta dhe ishin mirë. Për personin që rezulton i zhdukur nuk kam informacion. Unë isha te lokali, këtu e kam shtëpinë. Sapo dëgjova shpërthimin, u nisa me vrap drejt banesës dhe nxora plakën. Madje, e kam në spital tani, nga tensioni. Nusen e kam mirë.” tha banori./ZËRI