Kryeministri Edi Rama ka reaguar me ironi ndaj gazetarit irlandez Chay Bowes, i cili është përfshirë në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian. Përmes një postimi në platformën “X”, kreu i qeverisë e ka cilësuar atë si një “klloun të propagandës ruse' duke pretenduar se paguhet nga Moska.
Në reagimin e tij, Rama ka lidhur qëndrimet kritike të gazetarit ndaj Shqipërisë me rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në BE duke ironizuar komentet e tij për zhvillimet politike në Tiranë.
“Dhe një klloun i propagandës ruse që u sanksionua nga Bashkimi Evropian sot pikërisht sepse ishte një klloun i paguar nga Rusia. Por pse Shqipëria? Sepse Shqipëria shkoi shumë larg me ngritjen e saj dhe afrimin e saj të shpejtë drejt qëllimit historik: Anëtarësimit në Bashkimin Evropian”shkruan Rama.
Sipas njoftimit zyrtar të BE-së Bowes është përfshirë në listën e masave kufizuese për pjesëmarrjen e dyshuar në manipulimin e informacionit dhe përhapjen e narrativave që,sipas institucioneve evropiane justifikojnë dhe mbështesin agresionin rus.
Gazetari irlandez kishte tërhequr më herët vëmendjen edhe për komentet e tij mbi zhvillimet në Shqipëri ku kishte publikuar në rrjetet sociale pamje nga protestat e zhvilluara në Tiranë./ZËRI