GJERMANI-Serbia do të luajnë ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Kampionatit Evropian në Mynih ndaj Danimarkës. Por nuk kanë munguar incidentet. Mediat serbe shkruajnë se tifozët shqiptarë kanë vendosur sërish të jenë në qendër të vëmendjes me provokime.
"Kjo është hera e dytë gjatë Kampionatit Evropian që tifozët shqiptarë sulmojnë tifozët serbë dhe kësaj radhe kanë vënë në shënjestër një kundërshtar shumë më të madh për shkak se sulmuan një grup që ndodhej në sheshin kryesor të qytetit në Mynih. Të gjithë tifozët serbë u gjendën në të njëjtin vend, prej nga do të nisen drejt stadiumit për të bërë tifo kombëtaren,"-shkruan Kurir.
Zjarr, shishe e mbeturina u panë në qendër të qytetit gjerman dhe tifozët që shpërnaheshin në drejtime të ndryshme. Me ndërhyrjen e zjarrfikësve gjermanë është shuar zjarri në metronë e Mynihut. Drama zgjati rreth njëzet minuta, para se shërbimet e urgjencës të arrinin të zgjidhnin problemin. Ndërsa Policia ndërhyri duke hedhur gaz lotësjellës, ku më pas filluan përplasjet e vogla mes tifozëve serbë dhe autoriteteve të rendit në Mynih.
Në fund, disa nga tifozët u arrestuan për shkak të ngjarjeve. Serbia nëse fiton ndaj Danimarkës, shkon direkt në fazën eliminatore, ndërsa edhe me barazim mund të avancojë, por gjithçka varet se si do të jetë rezultati në grupet e tjera./ZËRI