
SKOCI - Një shishe e rrallë uiski është shitur për 2.7 milionë dollarë, duke thyer rekordin për verën apo pijen alkoolike më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë në një ankand.
Macallan 1926 single malt është një nga shishet më të kërkuara në botë të uiskit skocez. Ajo u shit nga Sotheby's të shtunën, me më shumë se dyfishin e çmimit të parashikuar.
Drejtuesi i Ankandit tha se ka shijuar një pikë nga uiski, përpara se ta shiste atë për shumën marramendëse. Ai shtoi se kjo praktikë ishte e lejuar.
“Ka një shije të veçantë, është e shëndetshme, ka shumë fruta të thata, shumë erëza, është fantastike”, tha Jonny Foule për agjencinë e lajmeve AFP.
Uiski ka qëndruar së paku 60 vjet në bodrum. Në vitin 1986, kjo pije ishte shumë e rrallë, aq sa në treg kishte vetëm 40 të tilla.

Sa herë që ndonjë nga shishet është nxjerrë në ankand gjate këtyre viteve, ka pasur rezultate të jashtëzakonshme - një shishe e ngjashme është shitur në vitin 2019 për 1.5 milion £.
Duke folur muajin e kaluar në prag të ankandit, Foule tha se The Macallan 1926 është i vetmi uiski që çdo ankand dëshiron të shesë dhe çdo koleksionist dëshiron të zotërojë. Sotheby's tha se 40 shishet nga një fuçi e vitit 1926 ishin etiketuar në mënyra të ndryshme.
Dy shishe nuk kishin fare etiketa, 14 ishin zbukuruar me etiketat ikonike Fine dhe Rare dhe 12 ishin etiketuar nga artisti pop Sir Peter Blake.
Njëra nga shishet thuhet se është zhdukur nga një tërmet në vitin 2011 dhe besohet se të paktën një tjetër është hapur e konsumuar./Zëri.ai/