
TORINO- Kroati Igor Tudor e nisi ndeshjen e tij të parë si trajner i Juventusit me ndikim të menjëhershëm te skuadra. Ndikimi ishte jo vetëm si trajner, për hir të rreshtimit taktik dhe stilit të ri, por edhe si protagonist i drejtpërdrejtë në aksionin e golit të avantazhit ndaj Xhenoas. Në një moment kur loja ishte e ndalur për një rivënie anësore, tekniku kroat reagoi me shpejtësi duke rikuperuar topin dhe duke e dorëzuar menjëherë te Kopmejners.
Holandezi, me një pasim të shpejtë, shërbeu Vlahoviçin, i cili përfitoi nga një karambol dhe e dërgoi topin te Jildizi. Turku shmangu me finesë De Uinterin dhe me një goditje të fuqishme mposhti portierin Leali, duke zhbllokuar ndeshjen. Ai gol ishte i vetmi i takimit që u dha tre pikë juventinëve dhe zbukuroi debutimin e kroatëve.
Tudori gjeti rastin që t'ua dëshmonte me një provë konkrete të tijve se sa i përqëndruar është ai aq duhet të jetë edhe skuadra, dhe se sa me rëndësi është ritmi i shpejtë.
Tudori për mediat u shpreh se ritmi i shpejtë dhe vertikalizimi janë dy detajet që do të instalohen te Juventusi deri në fund të ndeshjes. I pyetur për "pikën e dobët" të Juventusit, formën e Kopmejnerit, ai u shpreh se nga momente të tilla të vështira dilet duke u stërvitur dhe duke luajtur fort. Momentalisht Juventusi renditet i pesti me 55 pikë, 1 pikë pas zonës Champions./ZËRI