
MADRID- Reali i Madridit përmbysi një shpërqendrim momental ndaj Leganesit dhe Mbapeja na kujtoi se edhe nga loja e ndaluar di të jetë ndër më të mirët në Botë. Një penallti dhe një goditje dënimi, të dyja të ekzekutuara me mjeshtëri, sollën dy gola shumë të bukur. Praktikisht të parin e avantazhit dhe të fundit, vulosësin e fitores 3-2. Belingami shënoi golin e barazimit me këmbëngulje, pasi Leganesi kishte kaluar në avantazh dyfish me Rabën dhe Garsinë.
Kiljan Mbapeja ka shënuar tani po aq gola sa Kristiano Ronaldoja në sezonin e tij të parë me Real Madridin, 33 gola.
Francezi u quajt si “dështim” në fillim të sezonit, por tani, hap pas hapi, në shifra po shkëlqen me meritë me "Los Blancos".
Kiljan Mbapeja shënoi dy gola në fitoren 3-2 të Real Madridit ndaj Leganesit, duke barazuar rekordin e Kristiano Ronaldos për 33 gola në sezonin e tij të parë me klubin.
Me këtë sukses, Real Madridi mbetet në vendin e dytë në La Liga, por tani është i barazuar me pikë me Barcelonën. Mbapeja është vetëm katër gola larg rekordit të Ivan Zamoranos për sezonin më të mirë debutues në historinë e klubit, i vendosur në 1992-93 me 37 gola./ZËRI