
LEÇE– Roma e Klaudio Ranierit, pasi shpërdoroi dy gola thuajse të sigurt në pjesën e parë me Angelinon dhe Konenë, fitoi ndeshjen ndaj Leçes pritëse me një lëvizje prej sulmuesi rrace në zonë të Dovbikut, 10 minuta përpara mbarimit të kohës së rregullt. Goli i njëmbëdhjetë për Artem Dovbikun, gjigantin ukrainas në Serinë "A". Në "Via del Mare" Roma doli fituese.
Mund të thuhet me plotë gojën se Klaudio Ranieri, trajneri më i suksesshëm për vitin 2025, i ka shpëtuar sezonin e Romës. Ai e gjeti skuadrën të renditur në fashën e fundit të renditjes, duke parë zonën e mbijetesës, ndërsa sot numëron 11 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje në 15 ndeshjet e fundit.
E djeshmja ishte fitorja e shtatë radhazi. Roma ka nisur të synojë zonën evropiane. Ajo renditet e gjashta me pesëdhjetë e dy pikë./ZËRI