
GJERMANI-UEFA ka nisur një hetim ndaj FSHF-së për sjelljen e tifozëve në ndeshjen Kroaci-Shqipëri, por edhe ndaj sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku. Pas ndeshjes me Kroacinë, sulmuesi bëri një festim ku gjithashtu ka ofenduar dhe sharë shtetin maqedonas. Daku me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar, në “Instagram” ka kërkuar ndjesë për episodin e ndodhur në fund të sfidës me Kroacinë.
Postimi i plotë i Mirlind Dakut:
Përshëndetje të gjithëve,
Fillimisht duhet të falenderoj, të gjithë ata që na kanë suportuar në momente të mira e të këqija, përgjatë rrugëtimit të Kombëtares, në Euro 2024.
Si çdo futbollist, në ato moment emocione janë të një tjetër niveli, ku vetëm nëse je pjesë e lojës mund t’i kuptosh. Është shumë e vështirë të përshkruash ndjesinë e të luajturit, për këtë Kombëtare për këta tifozë të mrekullueshëm, që na kanë dhuruar dashuri të pakufijshme, ashtu siç është edhe moto jonë, “Duam Shqipërinë pa kufinj”.
Kam ndjesinë se se kam ofenduar dikë pas ndeshjes me Kroacinë, megjithatë unë kam vazhduar të punoj bashkë me gjithë grupin për të ndjekur ëndrrën tonë.
Të kërkosh falje është burrërore dhe unë ndjej përgjegjësi morale e profesionale për të bërë diçka të tillë për të gjithë ata që kam lënduar.
Me respekt,
Mirlind Daku
UEFA njoftoi në lidhje me ndeshjen e fazës së grupeve të Kampionatit Europian 2024 ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Federatës Kroate të Futbollit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit të luajtur më 19 qershor 2024 në Hamburg të Gjermanisë, është hapur një hetim në lidhje me sjelljen e supozuar të papërshtatshme të lojtarit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), z. Mirlind Daku./ZËRI