
GJERMANI- UEFA ka caktuar një inspektor për të kryer hetimet “lidhur me sjelljen e mundshme raciste dhe diskriminuese nga tifozët, që dyshohet se kanë ndodhur në ndeshjen Kroaci – Shqipëri”. Gjasat janë të mëdha që FSHF-ja dhe Federata kroate të gjobiten nga UEFA. Të dy federatat tashmë janë gjobitur për sjelljet e tifozëve të tyre në ndeshjet e xhiros së parë të “Euro 2024”.
Më i rëndë vlerësohet rasti i sulmuesit të Shqipërisë, Mirlind Daku. Pas ndeshjes me Kroacinë, Daku mori megafonin dhe iu afrua tribunës ku ishin tifozët shqiptarë.
Sulmuesi u dëgjua duke nisur fyerje ndaj maqedonasve. Të enjten paradite Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut doli me reagim zyrtar duke kërkuar nga Daku që të kërkojë falje dhe nga UEFA-ja që të hetojë rastin. Rasti i Dakut është përmendur edhe në letrën e Federatës serbe për UEFA-n. Kjo e fundit do ta hetojë edhe atë rast.
“Është hapur një hetim lidhur me sjelljen që supozohet se ishte e papërshtatshme, e lojtarit të FSHF-së, Mirlind Daku. Informacione të tjera lidhur me këtë çështje do të vihen në dispozicion në kohën e duhur”, shkruan në njoftimin e UEFA-s.