
NAPOLI- Ish-sulmuesi anësor argjentinas, Ezekiel Laveci, këto ditë gjendet në qytetin e Napolit. Gjatë qëndrimit në qytetin futbolldashës bashkëpatrioti i Maradonës dha disa deklarata për Televomero, në emisionin "Terzo Tempo Calcio Napoli". Në këtë transmetim ai u ndal te historiku i vetë për të kaltrit, ku u transferua më 6 qershor të vitit 2007, për 5.6 milionë euro dhe u largua për 30 milionë euro pas pesë vjetësh te Paris SG-ja.
Ai tha se qytetin e pati zgjedhur për hir të Maradonës. 48 gola dhe 60 asiste regjistroi me të kaltrit në 188 ndeshje, duke fituar Kupën e Italisë në vitin 2012, pas një mungese shumë të gjatë. Në transmetimin e cituar ai u ndal edhe te festimet e mrekullueshme të qytetit për këtë Kupë, pas një mungese që datonte nga epoka e Maradonës. Për yllin argjentinas, ai tregoi se ruante kontakte të shpeshta, se ish-kampioni i Botës i kërkonte shpesh ndjesë që nuk e kishte grumbulluar në Botëror, pavarësisht se Laveci u shpreh se e mirëkuptonte përgjegjësinë e trajnerit për zgjedhjet që duhej të bënte.
Ezekiel Laveci luajti edhe 59 ndeshje dhe shënoi 9 gola e dha 12 asiste.
Në intervistën për Televomero-n Laveci dha edhe një sinjal që i mbushi me gëzim tifozët napoletanë, sidomos tani kur një driblues shumë i dashur për ta, gjerogjiani Khvaraskela, u transferua te Paris SG-ja.
"Para disa ditësh fola me Tiago Almadën dhe duke bërë shaka po më thoshte: ‘’Më ço atje!’’: unë një futbollisti të ri argjentinas ia këshilloj përherë të vijë".
Tiago Almada është sot një nga talentet më të mëdha të Argjentinës. Me një gol nga jashtë zone ishte ai që zgjidhi ndeshjen me Uruguain si udhëtuese. Momentalisht ai luan në Francë i huazuar nga Botafago e Brazilit te Olimpiku i Lionit në janarin e këtij viti dhe shenjat janë ta ketë arritur pjekurinë e duhur për një rritje cilësore në karrierën e tij./ZËRI