Qytetërim

Andrea Berta, ish-drejtori sportiv i Atletikos së Madridit, firmos me Arsenalin

Andrea Berta e bën me suksese të mëdha këtë detyre prej vitesh të tëra, në nivele të larta, në tregun evropian të futbollistëve si ish-drejtor i Atletikos së Madridit.

Redaksia Zëri
Andrea Berta, ish-drejtori sportiv i Atletikos së Madridit, firmos me
Andrea Berta

Emërimi i Andrea Bertas si drejtor sportiv i Arsenalit shënon një fazë të re për klubin londinez. Andrea Berta e bën me suksese të mëdha këtë detyre prej vitesh të tëra, në nivele të larta, në tregun evropian të futbollistëve si ish-drejtor i Atletikos së Madridit. Situata e ardhjes së tij te klubi i ri e përball menjëherë me një sërë sfidash urgjente, për të cilat i rëndon barra e zgjidhjes deri në qershor. Uebsajti sportiv Goal.com, në një analizë të gjatë të ekspertit Sin Uolsh, ka hedhur dritë lidhur me shtatë çështjet emergjente me të cilat duhet të përballet:

Çështja e parë kryesore, që shqetëson tifozët kryeqytetas, është shmangia e kaosit kontraktual, duke siguruar rinovimin në kohë të lojtarëve kryesorë si Sakaja, Salibaja dhe Gabriel Magajesi. Ata duan të shmangin situata të ngjashme me problematikat e mëparshme, si largimi i Van Persit apo Sançezit.

Një tjetër çështje është lirimi i financave të klubit nga lojtarë të tepërt, përfshirë edhe titullarë, me emra si Xhorxhinjo, Tiernej dhe Partej që pritet të largohen. Edhe disa lojtarë nën kontratë deri në 2026 mund të jenë në listën e shitjeve për të krijuar hapësirë për prurje të reja.

Së treti, Berta është përballë emergjencës për transferimin e një sulmuesi të nivelit të lartë, mungesa e një qendërsulmuesi dominant ka dëmtuar jo pak ambiciet e ekipit këtë vit. Së katërti, drejtorit të ri do t’i duhet të kujdeset për përforcimin e krahëve të sulmit. Varësia nga forma e Sakasë, e le të gjysmuar forcën dhe krijmtarinë e Arsenalit nga krahët. Opsione si Niko Uilliamsi, Leroj Sane apo Rafael Leaoja mund të jenë disa emra në shënimet e kryezbuluesit Berta.

Së pesti, me po aq rëndësi paraqitet edhe menaxhimi i portës – një titullar i besueshëm si David Raja jep garanci, por përflitet për një shpenzim të madh edhe për të afruar Garsian e Espanjolit si rezervë të Rajës. Goal.com e konsideron një çmim të kripur dhe pritshmëritë për Bertën janë për investime më të zgjuara në drejtim të portierëve rezervë.

Së gjashti, pritshmëritë në raport me rolin e Bertës janë që roli i tij të shkojë përtej merkatos duke qenë aktiv me procesin e komunikimit publik dhe për të sjellë më shumë transparencë. Së fundmi, në të njëjtën kohë është e domosdoshme që ai të menaxhojë më mirë ngarkesën e lojtarëve kyç si Saka, i cili ka vuajtur nga dëmtime për shkak të mbingarkesës. Nga Berta pritet të ndërtojë një listë të zgjuar dhe rezultative zëvendësuesish.

Arsenali këtë vit renditet i dyti në Premier Ligë, 12 pikë pas Liverpulit. Ndërkohë, në zonën evropiane në çerekfinale të Ligës së Kampioneve do të përballet me Realin e Madridit./ZËRI

Poll

MOS HUMB