
KOÇAN- Tragjedia me 59 viktima në Koçan të Maqdonisë së Veriut tronditi jo vetëm vendin, por edhe botën. Përdoruesit e rrjeteve sociale e kanë krahasuar këtë tragjedi me serialin e Netflix “The Endless Night”. Seriali, i cili u publikua në vitin 2022, ka pasqyruar ngjarjen e rëndë që ndodhi në vitin 2013 në Brazil, ku si pasojë e një zjarri masiv në një klub nate humbën jetën 242 persona dhe 600 të tjerë u plagosën rëndë. Njëlloj si tragjedia në Koçan, edhe ajo e Santa Maria ndodhi pasi një anëtar i grupit muzikor ndezi fishekzjarre gjatë shfaqjes, por materali izolues i tavanit mori flakë.
“The Endless Night” mbështetet nga libri i gazetares Daniela Arbex, “Todo Dia a Mesma Noite”. Libri dhe seriali trajtojnë pasojat e tragjedisë, luftën e familjarëve të viktimave për drejtësi dhe dënimin e përgjegjësve. Seriali që ka vetëm 5 episode rrëfen historitë personale të të mbijetuarve dhe të familjarëve të viktimave, duke sjellë vëmendje te traumat që ata përjetuan, si dhe përpjekjet e tyre të pandërprera për të zbuluar të vërtetën dhe për të vendosur drejtësi ndaj përgjegjësve.
Seriali pasqyron dështimet e institucioneve, si kontrolli i dobët i kushteve të sigurisë në klub, mungesa e daljeve të përshtatshme emergjente, korrupsioni dhe proceset e ngadalshme gjyqësore që kanë lënë në agoni familjet e viktimave për vite me radhë. Libri i Arbex, i cili ka pasur një ndikim të madh në Brazil, përshkruan jo vetëm tragjedinë, por edhe neglizhencën dhe dështimet që bënë të mundur këtë katastrofë, duke hedhur dritë mbi arsyet që çuan në këtë ngjarje të tmerrshme./ZËRI