
SHBA- Lionel Mesi, me një supergol me topin që i kalon sipër portierit të ‘’mashtruar’’, u rikthye protagonist me fitoren dramatike 2-1 ndaj Atlanta Junajtid, por e diela e lumtur për tifozët e Inter Majemit nuk ishte e thënë të ishte e tillë për ata të Argjentinës që e meziprisnin rikthimin e tij në formë.
Tani është e sigurt që Leo Mesi do të mungojë në dy ndeshjet eleminatore për Botërorin 2026, ndaj Urugajit dhe Brazilit. Mesi, në ndeshjen ndaj Atlantës, në minutën e gjashtëdhjetë e katërt, bëri një lëvizje të shkëlqyer dhe provoi portën ku gjeti në gatishmëri portierin e Atlantës, por pas këtij veprimi ndjeu dhembje. Megjithatë, ylli argjentinas e vazhdoi lojën edhe pse e uli intensitetin.
Të hënën rezonanca magnetike konfirmoi se dhembja ishte dëmtim dhe stafi teknik vendosi të mos e grumbullojë me kombëtaren. Argjentina e Skalonit do të ketë disa mungesa, Paulo Dybala, Gonzalo Montieli dhe Xhiovani Lo Kelso, së bashku me Mesin, të gjithë për shkak të problemeve fizike.
Argjentina e udhëheq grupin e saj eleminator me 25 pikë, 5 më shumë se sa Urugaji i vendit të dytë dhe 7 pikë më shumë se sa Brazili i vendit të pestë./ZËRI