
LONDËR- Më 21 mars në Uembli përballemi për të shtatën herë me përfaqësuesen angleze. Gjashtë herë janë ndeshur përfaqësuesja angleze dhe ajo shqiptare deri më sot. Të gjashta herët ndeshjet janë fituar nga "Tre Luanët. 19 gola kanë shënuar ishullorët, vetëm 1 nga shqiptarët. Goli i vetëm ndaj Anglisë është shënuar nga Ervin Skela, pas asistit të Altin Lalës në ndeshjen e 28 marsit të vitit 2001 në stadiumin "Qemal Stafa", në ndeshjen e humbur 1-3 kur kombëtarja drejtohej nga i ndjeri Medin Zhega.
Lojtari që ka shënuar më shumë gola në këtë përballje, për fatin e keq të shqiptarëve, do të jetë sërish në fushën e lojës. Ai quhet Herri Kejn dhe nga 19 golat e britanikëve në portën tonë ai ka shënuar 4. Herën e fundit në Tiranë, e drejtuar nga Garet Sauthgejt, Anglia ishte më 28 mars 2021 dhe fitoi 0-2, me golat e Mauntit dhe Herri Kejnit. Takimi i fundit në Uembli mes shqiptarëve dhe anglezëve, i vlefshëm po ashtu për eleminatoret e Botërorit 2022 u zhvillua më 12 nëntor 2021 dhe u fitua 5-0 nga anglezët. Meguajër, Kejn tre herë dhe Hendersoni ishin autorët e golave.
Nga ajo kombëtare e drejtuar nga mjeshtri italian Edi Reja, ndër emrat e grumbulluar nga trajneri Silvinjo, që mund të kujtojnë diçka nga dy përballjet e fundit me Anglinë sot janë Strakosha, Bajrami, Uzuni, Broja, Gjimshiti, Ismajli, Ramadani, Mihaj, Laçi dhe Manaj./ZËRI