
LONDËR- Skuadra e Njukasëllit, në finalen e Kupës Karabao të luajtur kundër Liverpulit, ishte më e mira në Uembli. Pas 70 vjetësh, një brez tifozësh të Njukasëll Junajtidit më në fund do të kenë një trofe për ta festuar e për t'u mburrur. Njukasëlli i dha dje fund 70 viteve dhimbje. "Viktima" ishte Liverpuli i sapo eleminuar nga një tjetër skuadër me pronësi miliarderësh nga Lindja e Mesme në Ligë Kampionesh, PSG-ja.
2-1 ishte rezultati i finales së Kupës Karabao. Golat u shënuan nga Dan Bërni, i cili ka gjetur edhe kombëtaren angleze e me gjasë do të zbresë në fushë ndaj Shqipërisë dhe Aleksandër Isaku, në secilën pjesë. Ata i dhanë fitoren ekipit të Magpies në Uembli dhe mbi 32,000 tifozë të Njukasëll të pranishëm në fitimin e trofeut të munguar pas shtatë dekadash, duke e dominuar ndeshjen nga fillimi në fund. Goli i Kiezës për Liverpulin nuk kishte peshë.
Drejtimi i Njukasëll ka njoftuar dhe projektin e një stadiumi të ri, ndër më të kushtueshmit në Evropë, rreth 1 miliardë paund.
Njukasëlli renditet i gjashti në Premier Ligë me 47 pikë, me një pikë pas Sitit me 48 pikë dhe një ndeshje më tepër, dhe 2 pas Çelsit, duke synuar kualifikimin në Ligë Kampionësh për sezonin e ardhshëm./ZËRI