
TIRANË- Viti 2024 duket se ka qenë më i frytshëm përsa i përket ardhjes së turistëve në vendin tonë. Në vetëm 6 mujorin e parë të 2024, Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të fluksit të turistëve në Evropë. Sipas klasifikimit të Komisionit Evropian të Udhëtimeve Shqipëria ka një rritje me 86 % në Evropë të fluksit të hyrjeve të turistëve dhe kjo gjë ka ardhur rrjedhimisht edhe nga Aeroporti i Tiranës që është kthyer në aeroportin më të madh në Ballkanin Perëndimor duke ja kaluar edhe atij të Beogradit që mbante stafetën për vite me radhë, sa i përket numrit të fluturimeve dhe pasagjerëve.
Sipas Komisionit Evropian të Udhëtimeve udhëtimet ndërkombëtare gjatë 6 mujorit të parë të 2024 kanë ardhur në rritje në të gjithë kontinentin krahasuar me 2023. Krahasuar me nivelet para pandemisë, rritjet janë përkatësisht 6% dhe 7%.
Destinacionet e Evropës Jugore kanë nxitur rritjen e turizmit evropian dhe mbeten vazhdimisht të njohura për kushtet e tyre të favorshme klimatike në prag të sezonit të verës, si dhe kostot, e cila mbetet një shtytës kryesor për turistët.
Në total në janar-maj numri i të huajve regjistroi shifrën mbi 3.3 milionë apo 38.2 për qind më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Boom-i i turizmit ka vijuar edhe në muajin maj, duke shënuar një rritje rekord të fluksit të turistëve në vendin tonë.
Sipas INSTAT, gjatë muajit maj 2024, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin shqiptar, 1.606.520 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 30,6%, krahasuar me maj 2023.
Indekset e treguesve në aktivitetin Hotele ishin me përmirësimin më të lartë në krahasim me aktivitet e tjera.
Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 23,2%, krahasuar me tremujorin e katërt 2022 dhe indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje 4,0%, krahasuar me tremujorin e katërt 2022. Fondi i pagave shënoi rritje 23,1%, krahasuar me tremujorin e katërt 2022.
Treguesit në aktivitetin Agjenci udhëtimitregojnë se, indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 33,8%, krahasuar me tremujorin e katërt 2022, indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje 9,2%, krahasuar me tremujorin e katërt 2022, ndërsa Fondit të pagave shënoi rritje 25,2%, krahasuar me tremujorin e katërt 2022.
Turizmi i organizuar, edhe pse një fraksion i vogël i turizmit total, mbetet pjesa më e qëndrueshme e sektorit në vend. Operatorët turistikë pohojnë se interesi për Shqipërinë vijon të mbetet i lartë nga tregjet europiane.
Këtë vit, Shqipëria ishte e shitur plotësisht!
Në krye të rezervimeve me kontratat e garancisë vijojnë të mbeten polakët. Këta të fundit shënuan në total një rritje me 39% për vitin 2023 në raport me vitin paraardhës, duke qëndruar në nivelin 232 mijë vizitorë por duhet të theksojmë se përveç turistëve të organizuar në këtë grup ka edhe turistë individualë.
Dikur falë afërsisë me Aeroportin e Korfuzit, agjencitë që sillnin polakët dhe nordikë e shihnin Sarandën si një nga alternativat të përshtatshme me oferta konkurruese.
Tani Shqipëria po përjeton bumin e saj turistik!
Gjithashtu është vënë re dhe një interes i shtuar për Shqipërinë dhe në muajt e vjeshtës e të dimrit.
Operatorët turistikë vlerësojnë se ky turizëm po favorizohet nga hyrja e linjave loW cost dhe është i përqendruar në Tiranë.