
ITALI- Kushërirat milaneze shpërblehen pas vuajtjesh të ngjashme njësoj dramatike, tre kryesueset e kampionatit shkëputen, Bolonja ëndërron Evropën pas fitores si mysafire në Verona. Juventusi shpartallohet dhe ruan shpatullat në renditje nga Lacioja, që luan sonte dhe mund të parakalojë.
Interi dhe Milani thuajse e patën lënë me fjalë më 8 mars: vuajtje në pjesët e para, mungesë fati, përmbysje dhe fitore dramatike në pjesët e dyta. Interi fitoi 3-2 ndaj Monzës në ‘’Giuseppe Meazza’’. Monza shënoi dy herë e para me Birindelin dhe Keita Baldenë, i cili respektoi ish-skuadrën e tij duke mos e festuar golin e shënuar. Të dy golat u asistuan nga Mota. Arnautoviçi shkurtoi diferencat ende pa shkuar në zhveshtore duke dërguar në gol një pasim të Dumfries nga e djathta pranë shtyllës së dytë. Në pjesën e dytë Interi ushtroi diktaturë loje: 71% kontroll topi në këtë pjesë, duke provuar të gjuajë 16 herë. Çalhanogluja shënoi golin e barazimit në minutën e gjashtëdhjetëekatërt dhe Kyuriakopoulos dërgoi një top në autogol, të cilin e identifikoi vetëm teknologjia e arbritrimit që sinjalizoi kalimin e vijës fatale. Interistët qëndrojnë në krye të kampionatit, me 61 pikë pas 28 ndeshjesh, 1 më tepër nga sa Napoli ndjekës.
Napoli i trajner Kontes mund të quhet zyrtarisht ‘’i rizgjuar’’. Më 9 mars makthi i muajit shkurt, gjatë të cilit lëshoi 11 pikë në 5 takime (barazim me Romën, barazim me Udinezen, barazim me Lacion, humbje me Komon dhe barazim me Interin), përfundoi. Të dielën të kaltrit arritën një fitore të ngushtë e të luftuar 2-1 me Fiorentinën në stadiumin ‘’Diego Armando Maradona’’. Lukaku dhe Raspadori shënuan nga një gol në të dy pjesët e lojës.
Magjitë e portierit spanjoll të Fiorentinës, De Gea dhe traversa e Fiorentinës ishin ato që nuk e lejuan të thellohej rezultati i një loje, e cila u luajt më mirë nga sa tregon rezultati përfundimtar. Rezultati u ngushtua me një gol të bukur nga Gudmundson në minutën e gjashtëdhjetë e një. Napoli vijon t’i qëndrojë vetëm një pikë pas Interit në kryesim.
Atlanta qëndron e treta, dy pikë pas Interit, duke e përforcuar ndjekjen pas fitores së jashtëzakonshme me Juventusin në Torino, 0 me 4. Bardhezinjtë iu nënshtruan plotësisht forcës së Gasperinit, i cili e dominoi lojën në çdo drejtim të saj. Mesfushori De Roon ishte më i miri për bergamaskët, pika e ekuilibrit të një skuadre që nuk gaboi Retegui shënoi i pari nga penalltia, në minutën e njëzet e nëntë. Dyfishoi De Roon me një gol të bukur në fillim të pjesës së dytë, pastaj De Ketelaere dhe Lookman, në minutat 66 dhe 77 e shpunë rezultatin në 4-0. I vetmi lojtar juventin që veçoi, ishte portieri Di Gregorio me disa pritje të bukura dhe akrobatike, duke ndaluar rezultatin të thellohej më tej. Ndeshje shumë e mirë me ritme të pandalshme edhe për anësorin e Atalantës, italianin Zappacosta. Juventusi renditet i katërti, me pesëdhjetë e dy pikë. Mirëpo kjo mund të zgjasë vetëm një natë, pasi të hënën në mbrëmje, Lacioja, 50 pikë, luan me Udinezen dhe i duhet një fitore për të ndërruar vendet me juventinët.
Milani fitoi 2-3 ndaj Leçes. Pjesa e parë kishte dy emra që e trembën vërtetë në ‘’Via del Mare’’: Krstoviç dhe VAR. VAR-i anulloi me të drejtë dy gola në pjesë të parë për milanistët. Krstoviç ishte më i miri ndër lojtarët e Leçes. Ai shënoi golin e parë në minutën e shtatë dhe golin e dytë në minutën e pesëdhjetë e nëntë duke e çuar rezultatin në 2-0. Nikola Krstoviçi do të jetë me siguri kryefjalë e merkatos verore me 9 golat dhe 3 asistet e regjistruara në 28 ndeshjet që ka luajtur, mirëpo nuk mjaftoi për ta ndalur shpërthimin kuqezi. Trajneri Konseisao aktivizoi në pjesën e dytë Leaon, Abrahamin, Felixin, Fofananë dhe Sottilin. Ritmet ndërruan. Në harkun e trembëdhjetë minutave loja u barazua: në minutën e gjashtëdhjetë e tetë Gallo shtyu një top të prekur nga Felix drejt autogolit shifrandryshues në 2-1, Pulisiçi barazoi nga penalltia pesë minuta më vonë dhe në minutën e tetëdhjetë e një amerikani Pulisiç shtyu edhe një herë në gol një krosim fantastik nga e majta të Leaos. Milani renditet i nënti me 44 pikë, por vendin e gjashtë, që domethënë zonën evropiane, e sheh vetëm gjashtë pikë larg.
Në kufijtë e zonës evropiane, ndryshe nga sa ishin pritshmëritë negative pas largimit të trajner Motës për t’u zëvendësuar nga Vicenzo Italiano, Bolonja është një skuadër që po dëshmon në fushë dhe në tabelën e renditjes se e ka stofin për ta provuar përsëri Evropën. Skuadra bolonjeze, duke triumfuar në transfertën ndaj Veronës në ‘’Renato Dall’Ara’’ me rezultatin 2-1, regjistroi fitoren e saj të tretë radhazi (ndaj Milanit dhe Kaljarit më parë). Skuadra u ngjit në kuotën e 50 pikëve, duke u pozicionuar plotësisht në zonën europiane dhe shumë pranë vendit të katërt, Juventusit, 2 pikë larg.
Renditja e garës së hapur të kreut italian, pas ditës së diel, ku mbetet për t'u luajtur ende Lacio-Udineze, është kjo: Interi i pari me 61 pikë, Napoli i dyti me 60 pikë, Atalanta e treta me 58 pikë. Mandej Juventusi i katërti me 52 pikë, Lacioja, me një ndeshje për t'u luajtur të hënën në mbrëmje me 50 pikë e pesta, aq sa ka edhe Bolonja që renditet e gjashta me 50 pikë./ZËRI