Qytetërim

Barcelona dhe Osasuna nuk luajtën, zi për doktorin e skuadrës

Data e re e ndeshjes do të përcaktohet nga organizatorët e La Ligës në ditët në vijim.

Redaksia Zëri
Barcelona dhe Osasuna nuk luajtën, zi për doktorin e skuadrës
FOTO ILUSTRUESE


Carles Miñarro Garcia, mjeku i parë i skuadrës së Barcelonës, ndërroi jetë papritur pak para nisjes së ndeshjes kundër Osasunës. Lajmin e trishtë e njoftoi presidenti i klubit, Joan Laporta, i cili ua komunikoi si fillim ngjarjen lojtarëve të tij në zhveshtore. "Mundo Deportivo" bëri me dije se futbollistët, me të mësuar për humbjen e mjekut të tyre, kërkuan që ndeshja të shtyhej për shkak të tronditjes emocionale.

Lajmi u bë me dije pak para se ndeshja të niste në stadiumin olimpik Lluís Companys, ndërsa tifozët kishin zënë ulëset në pritje të fillimit të ndeshjes. Për këtë arsye, ndeshja mes Barcelonës dhe Osasunës, e paraparë për t'u zhvilluar mbrëmjen e së shtunës, u shty për një datë të mëvonshme. Data e re e ndeshjes do të përcaktohet nga organizatorët e La Ligës në ditët në vijim.

Klubi i Osasunës, lidhur me kërkesën e lojtarëve dhe klubit të Barcelonës për të mos e luajtur ndeshjen, u shpreh mirëkuptues dhe në faqen e tyre zyrtare shprehën ngushëllimet e rastit. "Osasuna dëshiron të përcjellë ngushëllimet më të thella për familjen e Dr. Carles Miñarro Garcia dhe të dërgojë një përqafim të ngrohtë për të gjithë stafin e Barcelonës dhe tifozët e saj", shkruan ata.

Në nder të Carles Miñarro Garcia, Barcelona pritet të mbajë një minutë heshtjeje në ndeshjen e radhës, ndërsa Federata Spanjolle e Futbollit po shqyrton mundësinë e mbajtjes së një ceremonie zyrtare për nder të tij. Klubi, futbollistët dhe tifozët do të organizohen për t'i ofruar ndihmë familjarëve të tij.

Carles Miñarro Garcia, 40 vjeç, bashkëpubonte me FC Barcelona që nga viti 2017. Para se të bashkohej me klubin, ai shërbeu si mjek asistent në Centre d'Alt Rendiment de Sant Cugat dhe ishte drejtues i shërbimeve mjekësore në Centre d'Esports Sabadell. Këtë sezon ai kaloi te ekipi i parë, ku punonte së bashku me Dr. Ricard Pruna. Garcia ishte diplomuar në Universitetin e Barcelonës.

Shkaqet e vdekjes së doktorit janë ende të panjohura, pritet të dalë një raport zyrtar nga mjekësia ligjore në ditët në vijim./ZËRI

Poll

MOS HUMB