Qytetërim

Gjigantët e Bundesligës ndjekin krizën politike: humbje vendase për Bajernin, Leverkusenin dhe Dortmundin

Gjigantët e Bundesligës ndjekin fatin e gjigantëve të politikës gjermane: lëshojnë në shtëpitë e tyre ndaj sfidueseve më të vogla. Futbolli dhe politika gjermane pragpranverore duket se ka gjetur këtë të përbashkët: të mëdhajat historike zvogëlohen.

Redaksia Zëri
Gjigantët e Bundesligës ndjekin krizën politike: humbje vendase
Pamje nga ndeshjet e sotme

GJERMANI- Kryesuesi i Bundesligës, Bajerni i Mynihut, humbi tre pikë sot përballë Bochumit në “Allianz Arena”. Pjesa e parë përfundoi me epërsinë 2-1 për vendasit. Para golit të dytë, Serge Gnabry humbi një penallti, ndërsa João Palhinha e la skuadrën bavareze me dhjetë lojtarë pas një ndërhyrjeje të rëndë ndaj Giorgos Masouras, që i kushtoi kartonin e kuq direkt.

Megjithëse ishte në avantazh numerik, trajneri Vincent Kompany vendosi të mos kryejë zëvendësime menjëherë. Bochumi e shfrytëzoi këtë dhe barazoi shpejt në pjesën e dytë. Kur trajneri bavarez reagoi, duke futur në lojë yjet si Harry Kane, Jamal Musiala dhe Joshua Kimmich, ishte tashmë vonë. Në minutën e 71-të, një kros i saktë nga Philipp Hofmann gjeti Markus Betën të lirë përballë portës bavareze, e cila vuan mungesën e Manuel Neuer, dhe ai shënoi golin e fitores për miqtë.

Ndjekësja kryesore e Bajernit, Bayer Leverkusen, skuadra e njohur si “aspirinat”, nën drejtimin e Xabi Alonsos, gjithashtu lëshoi terren. Ashtu si rivalët bavarezë, edhe ajo dështoi para publikut të saj në “BayArena”, duke humbur 0-2 ndaj Werder Bremenit, skuadrës që dikur i kushtoi titullin në javën e fundit të kampionatit. Përveç humbjes, Leverkuseni humbi edhe Florian Wirtz, lojtarin e saj kryesor, i cili u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi në minutën e 52-të.

Në Gjermani, jo vetëm partitë e mëdha si CDU/CSU dhe SPD po humbasin terren në këtë pragpranverë, por edhe klubet e mëdha të futbollit. Përveç Bajernit dhe Leverkusenit, edhe Borussia Dortmund, e cila këtë sezon nuk ka qenë në nivelin e duhur për të krijuar një treshe konkurrente me ta, humbi sot në fushën e saj 0-1 ndaj Augsburgut./ZËRI

Poll

MOS HUMB