
ITALI- Milani i këtij viti, pa rezerva mund të quhet një Milan ‘’portugez’’. Skuadra e Milanit drejtohet nga trajneri portugez Serxhio Konseisao, i cili vjen pas sukseseve të mëdha me Porton. Konseisaoja mbetet një ndër trajnerët më të mirë të gjeneratës së tij, përpos vështirësive që po has në Milano. Në fushën e lojës, Milani njeh si lider të saj një tjetër portugez, numrin 10, Rafa Leao.
Rafa është lojtari me vlerën më të lartë të kartonit në skuadër, minimalisht 75 milionë euro. Luhatjet e tij ndjehen në të gjithë trupin e skuadrës, e megjithatë 10 gola dhe 8 asiste ka shënuar në 38 ndeshjet e këtij viti për milanistët në të gjitha garat. Dy javë më parë, në San Siro Milani luajti ndaj Lacios me një fanellë të ngjashme me ngjyrat e kombëtares portugeze. Mjedisi milanist, mbase i frustruar prej rezultatit jopozitiv, 1-2 ndaj Lacios, shfaqi pakënaqësi të madhe ndaj arratisë nga ngjyrat historike, ato kuqezi.
Operacioni më premtues përsa i takon tregtisë së janarit për milanistët ishte emri i një tjetër portugezi, Zhoao Feliks, i cili në pesë ndeshjet e para nuk i ka bindur milanistët për të shpenzuar 40 milionë eurot e nevojshme për ta pronësuar kartonin e tij në fundsezon. Nëse zërat se drejtori i ri sportiv i Milanit do të jetë vlonjati Igli Tare janë të vërteta, ‘’shfaqet një problem’’. Mjedisi lacial numëron një varg të gjatë bastesh të humbura të Igli Tares në tregun e Portugalisë:
- Elizeu u ble nga Malaga për 900 mijë euro në vitin 2009, shumëkush e ka harruar si një ish-lojtar lacial.
- Pereirinja firmosi falas nga Sportingu i Lisbonës në vitin 2012, në 1 vit e gjysëm gjeti vetëm 27 aktivizime të pasuksesshme.
- Helder Postiga i huazuar nga Valencia në vitin 2014, u mor për të shënuar gola në sulmin lacial, nuk ia doli asnjëherë dhe e larguan për 6 muaj.
- Dy të rinjtë e akademisë që Lacioja i shiti me një çmim të kënaqshëm në Angli te Uolverhampton, Pedro Neto dhe Bruno Zhordao, Lacioja nuk i aktivizoi kurrë me shumë se sa tre dhe pesë ndeshje me skuadrën e parë bardhekaltër.
- Nani, në prag pensioni, qëndroi për 6 muaj te Lacioja ku luajti 25 ndeshje, jo të gjitha si titullar dhe shënoi vetëm 3 gola.
- Horge Silva ishte një mbrojtës portugez i Akademisë së të rinjve Lacios, i grumbulluar disa herë me ekipin e parë, pa mundur të fitojë minuta.
- Portieri Luis Maksimano u ble për 10 milionë euro nga Almeria në Spanjë, Igli Tare e kishte skicuar si portier të parë. Portugezi e humbi rolin e titullarit që në ndeshjen e parë pas një gabimi fatal. Pesë herë të tjera u aktivizua për Lacion përpara se të largohej te Almeria pa suksese.
- Sana Fernandesi ishte një ndër anësorët më të mirë të grupmoshave të Lacios, që drejtori Tare nuk mundi kurrë ta pozicionojë në skuadrën e parë.
Igli Tarja nuk ka patur kurrë sukses me portugezët në pesëmbëdhjetë vjet drejtor sportiv i Lacios dhe kjo e vendos mes dy botëve te Milani, në njerën anë skuadër filoportugeze, në anën tjetër me një drejtor që ‘’ia huq’’ shpesh në tregun portugez./ZËRI