
LONDËR- "Të këqijave lërua dera hapur,"- kjo shprehje duket se i përshtatet më së miri situatës aktuale te Manchester United. Skuadra historike renditet e 14-ta në Premier League dhe vjen pas një periudhe edhe më të dobët, duke qenë e 15-ta në fund të shkurtit. Me 20 ekipe pjesëmarrëse në kampionat, kjo do të thotë se “Djajtë e Kuq” janë vetëm 3-4 vende larg “zonës së rrezikut”, asaj të rënies nga kategoria. Hera e fundit që United ra nga Premier League ishte në sezonin e largët 1973/74, pra 41 vite më parë.
Aktualisht, diferenca me vendin e 18-të, Ipswich Town, është 15 pikë – një avantazh që ende nuk garanton siguri, për sa kohë mbeten edhe 11 ndeshje (33 pikë) për t’u luajtur. Nesër, Manchester United përballet me Arsenalin, por problemet e skuadrës shkojnë përtej rezultateve të dobëta.
Sezoni zhgënjyes, edhe pse me trajnerin e ri portugez, 40-vjeçarin Rúben Amorim, i sjellë për të ndërtuar një cikël të ri, ka nxjerrë në pah një tjetër krizë: disa nga lojtarët e rinj të skuadrës nuk dëshirojnë të rinovojnë kontratat.
I pari në listë është 19-vjeçari Kobbie Mainoo, i cili ka kontratë deri në 2027-ën, por agjentët e tij kanë refuzuar ta zgjasin atë, pavarësisht propozimit për një përmirësim të ndjeshëm në pagë. Aktualisht, ai fiton 23 mijë euro në javë, një nga pagat më të ulëta në klub. Ky refuzim lë të kuptohet se lojtari është i prirur të largohet. Presidenti Jim Ratcliffe nuk pritet të bëjë rezistencë, pasi deri më tani ka ndërmarrë masa drastike, duke pushuar rreth 200 punonjës. Mainoo, i aktivizuar 10 herë me kombëtaren angleze, është një nga talentet më të mëdha të klubit, dhe kartoni i tij vlerësohet nga 40 deri në 70 milionë euro. Sipas The Guardian, Chelsea dhe Bayern Munich janë dy nga klubet që kanë shfaqur interes serioz për të.
Ndërkohë, sipas Manchester Evening News, Napoli ka shfaqur interes për Alejandro Garnachon. Lojtari argjentinas do ta mirëpriste një transferim në një skuadër dhe qytet që adhurohet në atdheun e tij, si Napoli. Disa raportime sugjerojnë se United mund të pranojë ofertën nëse vjen një propozim prej 60 milionë eurosh, edhe pse stafi drejtues mbetet i ndarë në dysh për këtë çështje. Agjentët e Garnachos nuk kanë bërë deklarata që të sugjerojnë një qëndrim të sigurt te United, çka e lë hapur mundësinë e largimit të tij.
Në rrezik janë edhe dy sulmuesit e skuadrës, pasi United ka vuajtur për gola këtë sezon. Rasmus Højlund ka shënuar vetëm 7 herë në 36 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ndërsa holandezi Joshua Zirkzee ka realizuar edhe më pak, vetëm 6 herë. Në janar, Goal.com raportoi se Zirkzee kishte arritur një parakontratë me Juventusin, për shkak të pakënaqësisë së klubit me performancën e tij, por ishte vetë lojtari ai që refuzoi marrëveshjen.
Sa i përket Højlund, ai është i pakënaqur me mënyrën se si trajtohet nga trajneri i ri, me detyrat që i caktohen dhe minutazhin e pakët në fushë. Ndërkohë, klubi dhe veçanërisht presidenti janë të zhgënjyer nga rendimenti i tij në raport me shumën e madhe të shpenzuar për të – mbi 70 milionë euro të paguara te Atalanta.
Kështu, gjatë verës nuk përjashtohet mundësia që katër lojtarët e rinj – Mainoo, Garnacho, Højlund dhe Zirkzee – të largohen nga Manchester United. Një skenar i tillë mund ta përçajë tifozerinë, duke shkaktuar edhe më shumë debat rreth strategjisë së klubit për të ardhmen./ZËRI