Qytetërim

Rrëfimi rrëqethës i Uzunit: Pastroja shtëpi, futbolli më nxori nga varfëria

Futbollisti i Kombëtares, Myrto Uzuni, ka rrëfyer se kur ishte adoleshent, ai punonte në Greqi bënte punë të ndryshme, ndërsa tregon vështirësitë, derisa ëndrra iu bë realitet.

D.XH
Rrëfimi rrëqethës i Uzunit: Pastroja shtëpi, futbolli
Myrto Uzuni

SPANJË - Myrto Uzuni, i lindur në Berat (Shqipëri) më 31 maj 1995, ende nuk e njihte fuqinë e këtij sporti, pasi donte të mbijetonte në një vend, që nuk ishte i tij. Ai ishte vetëm një fëmijë, një emigrant ilegal, pa dokumente dhe ishte në Greqi. “Kemi paguar 20 mijë euro për të kaluar kufirin. Në familje ishim pesë veta, hymë nga një pyll, sepse Shqipëria nuk është në Bashkimin Evropian”, kujton ai.

Uzuni është një nga ato persona, që përfaqëson njerëzit, që dikur në jetë kanë pasur errësirë. Ai tregon gjithçka që ka kaluar në shtetin grek. “Ne të gjithë fitonim pak para me punën në Greqi, duhej të paguanim energjinë, ujin, qiranë, gjithçka. Futbolli ishte ëndrra ime, por në atë kohë unë ndalova edhe stërvitjen”, pranon ai. Heqja dorë nga pasioni ishte një goditje e madhe për të. “Shumë netë kam qarë vetëm, në dhomën time, në banjë, pa më parë njeri. Nuk doja që prindërit e mi të ndiheshin keq”, thotë Uzuni. Por ai nuk u dorëzua. “E gjithë kjo më dha forcë për të qenë lojtari që jam sot. Asnjëherë, kurrë, nuk kam menduar të heq dorë. E dija se kishte vetëm një zgjidhje, dhe ajo ishte e imja, e askujt tjetër. Kjo do të më bënte më të fortë", zbulon ai.

Por si përparoi në futboll Uzuni, pa e praktikuar atë? Në shtetin grek stërvitej vetëm kur munddte; Puna ishte prioritet, ndonjëherë bënte 14 orë punë ditë: “Kam punuar kamarier, laja enët, ullinj, pastroja shtëpi, garazhe… të gjitha në të zezë”. Por ditët e tij të mira erdhën më vonë. Në një turne ku ishte golashënuesi më i mirë, e vuri re Olympiacos FC, një nga ekipet e mëdha të futbollit grek. Por ai nuk i kishte letrat në rregull. Pa dokumente qëndrimi, ai humbi shansin e artë. Babai i tij, papritmas, kuptoi gjithçka: "'Ti je një lojtar i mirë dhe duhet të provosh," më tha ai. “Ne u kthyem në Shqipëri,” pranon Uzuni. Ai shton se nuk kishin shtëpi e as para, kur ka nisur të merret me futboll.

Pasi u kthye në Shqipëri, Uzuni nënshkroi për klubin e tij të lindjes, Tomori i Beratit. Nuk kaloi shumë kohë dhe nga një person rezervë ai ishte titullar dhe bënte gola. E kujton ende pagën e parë: “165 euro në muaj kam marrë. Të gjitha paratë ua dhashë prindërve të mi, të cilët ishin shumë krenarë dhe të lumtur për mua”, deklaron ai. Ai nga Tomori shkoi te Apolonia, ku ishte golashënuesi më i mirë në kampionat dhe, pas dy sezonesh, iu bashkua Laçit. Në total, gjashtë vite përparim sportiv dhe ekonomik në vendlindjen e tij.

Familjes më në fund iu lehtësuan vështirësitë. Destinacioni i tij i radhës do të ishte Kroacia, me një përmirësim të dukshëm në pagat e tij. “NK Lokomotiva Zagrebi nënshkroi me mua dhe për dy vite bëra ndryshim në ligën kroate”, thotë ai. Uzuni tërhoqi vëmendjen e Dinamo Zagrebit, e më pas shkoi tek Ferencváros. “Më thanë se donin të luanin në Champions League. Unë shkova dhe fituam kampionatin”, deklaron Uzuni.

Një vit më pas ai do të bënte debutimin e tij në kompeticionin më të lartë kontinental, një moment historik, ku u përball dhe me portugezin Cristiano Ronaldo. Ndodhi në fazën e grupeve. Pa e menduar, Uzuni u bë i famshëm në botë. “Unë shënova golin e parë të ndeshjes dhe festova tamam si ai [duke vrapuar, kërcyer dhe bërtitur]. Në fillim Ronaldo mendoi se ishte një provokim, por më pas i thashë që nuk ishte ashtu, por i thashë se e kisha admiruar gjithmonë. Në fund të lojës, ai e kuptoi në mënyrë të përsosur dhe ne shkëmbyem fanellat. Ishte një ëndërr", kujton ai. Një vit më vonë, dhe pasi u bë ylli i ekipit, erdhën disa oferta për të. Ishte merkato dimërore e 21-22, dhe një nga këto propozime erdhi nga Granada CF. “Nuk u mendova dy herë. FC Kopenhagen më ofroi pothuajse dyfishin e parave, por unë mendoja vetëm për ëndrrën time, sepse për vite me radhë shikoja Cristiano Ronaldon dhe Messin duke luajtur në LALIGA”, rrëfen ai. Ai tashmë po luan në La Liga e me Shqipërinë, duke përjetuar ëndrrën e vegjëlisë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB