
RROGOZHINË – I lindur në Ganë, Raphael Duamena luajti fillimisht me programin stërvitor Red Bull Ghana. Në Turneun Ndërkombëtar në Croix, Francë, në vitin 2013, ai ndihmoi ekipin e Ganës U17 për të fituar medaljen e argjendë dhe u shpall lojtari më i mirë i turneut.
Duamena udhëtoi në Austri për të bërë një provë njëjavore me Red Bull Salzbourg. Ai u bashkua me të rinjtë e Salzbourgut në vitin 2014. Në qershor të atij viti, ganezi shënoi shtatë gola në 4 ndeshje. Salzburgu përfundoi në vend të 3, por ai fitoi Këpucën e Artë.
Më 2014, Duamena kaloi tek Liefering dhe bëri debutimin e tij në ligën e dytë austriake. Në sezonin 2015-2016, ai shënon golin e parë si profesionist. Në verën e vitit 2016, Duamena kaloi te klubi tjetër austriak, Austria Lustenau për 600 mijë euro. Aty realizoi 18 gola në 20 ndeshje, para se ajo performancë t’i siguronte një kalim te Zurich-u zviceran, më 27 janar 2017.

Ndikimi i tij te klubi i ri ishte i dukshëm. Ganezi ndihmoi Zurich-un të siguronte titullin e kampionatit dhe promovimin në Super League-n e Zvicrës. Dhe, në ligën më të lartë zvicerane, ai realizoi dy gola në debutim kundër Grassshoppers.
Në vitin 2017, ganezi ishte shumë pranë realizimit të ëndrrës së tij për të kaluar në Premier League. Brighton kishte rënë dakord me Zurich për transferimin e tij, por çdo gjë u ndërpre, pasi ekzaminimet mjekësore vërtetuan se ai ka probleme me zemrën. Kësisoj, ai mbeti në Zurich.
Duamena vazhdoi të veprojë kundër asaj që thanë mjekët, duke luajtur me Levanten në Spanjë. Këta të fundit paguan 6.2 milionë euro për shërbimet e tij. Më pas do të kalonte në huazim te Real Zaragoza në La Liga 2 për një sezon.
Në tetor 2019, mjekët i dhanë porosinë e prerë që të mos luajë më futboll, pasi zemra e tij nuk mund të përballonte dot ndeshje profesioniste. Ai, megjithatë, vazhdoi të luante pasi kishte vendosur një kardioverter-defibrilator të implantueshëm (ICD) në janar 2020.

Pas kësaj, ai vazhdoi të luajë me Veljen në Danimarkë. Pasi shënoi gol më 2020, ai luajti dhe katër sfida, përpara se mjekët sërish t’i thoshin se nuk duhet të vazhdonte të hynte në fushat e blerta.
Në atë kohë, Duamena thoshte se Zoti mendon për të gjithmonë më të mirën. Mjekët përsëritën apelin që ganezi të tërhiqet së luajturi ndeshje profesioniste.
Duamena sërish vazhdonte të këmbëngulte në pasionin e tij dhe më 2021 firmosi për Blau-Veis Linz. Duamena pëson atak në zemër dhe bie në fushë në një sfidë të Kupës së Austrisë, duke rënduar shëndetin e tij. Pasioni i tij vijoi, edhe pse zemra kishte nisur t’i lëshonte.
Në janar 2023, Duamena nënshkroi për një klub të vogël zviceran të kategorisë së pestë, BSC Old Boys. Atje ai luajti 11 ndeshje, përpara se të nënshkruajë me Egnatian.
Me Egnatian, Duamena u bë një fenomen, ai ishte sulmuesi më i mirë i kampionatit me 9 gola, derisa ndërroi jetë në fushë. Kontributi i tij ishte i madh edhe në sfidat e Egnatias në kupat europiane. Pasioni i tij për futbollin shkoi deri në fund dhe i kushtoi edhe jetën. Raphael Duemana ishte kryeshënues i kampionatit deri tani, por fatkeqësisht sot, më 11 nëntor, ai ndërroi jetë./Zëri.ai/