
SHBA - Kirurgët në Nju Jork thonë se kanë kryer transplantin e parë të plotë të syve në botë te një mashkull, edhe pse nuk është e sigurt që pacienti do të rifitojë shikimin.
Aaron James, i cili i mbijetoi një aksidenti elektrik, pasi ra në kontakt me tensionin e lartë, iu nënshtrua 21 orë operacionit, që zëvendësoi gjysmën e fytyrës së tij.
Ekspertët e kanë quajtur operacionin një moment kyç në përpjekjen për t'i rikthyer shikimin miliona njerëzve.
James, një punonjës i linjës së tensionit të lartë nga Arkansas, humbi pjesën më të madhe të fytyrës kur preku aksidentalisht një tel të rrymës 7,200 volt në 2021.
Më 27 maj të këtij viti, ai iu nënshtrua një transplanti të rrallë të pjesshëm të fytyrës, përveç transplantit të syrit - ku morën pjesë më shumë se 140 profesionistë të kujdesit shëndetësor.
Kirurgët në NYU Langone Health, të cilët kryen operacionin e ndërlikuar, thanë të enjten se James, 46 vjeç, po merrte veten nga transplanti i dyfishtë dhe syri i dhuruar dukej jashtëzakonisht i shëndetshëm. Syri i tij i djathtë ende punon.
“Fakti i thjeshtë që ne kemi kryer transplantin e parë të suksesshëm të syrit të plotë në një fytyrë është një arritje e jashtëzakonshme. Shumë njerëz kanë menduar prej kohësh se kjo nuk ishte e mundur”, tha Dr Eduardo Rodriguez, një nga kirurgët kryesorë në ekip. "Ne kemi bërë një hap të madh përpara dhe kemi hapur rrugën për kapitullin tjetër", thanë mjekët.
Po ashtu, mjekët thonë se operacioni i James iu jep mesazhin profesionistëve të mjekësisë se si syri i njeriut përpiqet të shërohet.
"Ne nuk po pretendojmë se do të rivendosim shikimin. Por nuk ka dyshim se jemi një hap më afër", tha dr Rodriguez. James është personi i 19-të në SHBA që i nënshtrohet transplantit të fytyrës.
Gruaja e tij prej 20 vitesh, Meagan James, tha për CNN se duke e parë bashkëshortin pas operacionit ndihej më e lumtur. “Isha e lumtur që ai ia doli dhe gjithçka ishte mirë në këtë moment”, tha bashkëshortja.
Pas aksidentit, James iu desh të hiqte syrin e majtë për shkak të dhimbjes dhe i është nënshtruar një sërë operacioneve.
Ai e ka quajtur transplantin e syve si "ndryshim i madh në jetë" dhe thotë se është mirënjohës tepër për donatorin dhe personat që bënë të mundur operacionin./BBC - Zëri.ai/