
TIRANË- Këngëtarja e famshme shqiptare Elsa Lila, e cila prej vitesh e ka zhvendosur karrierën e saj jashtë kufijve të Shqipërisë, është rikthyer me projekte të reja, pas së cilave nuk mund t'i shpëtonte dot edhe intervistave.
E ftuar në podcastin 'Flasim', Elsa ka treguar shumë mbi punën e saj ndër vite, sukseset, brengat dhe nëse ajo do të mundej, çfarë do të ndryshonte në jetën e saj.
"Nëse do të kthehej mbrapa dhe do kishe mundësi të ndikoje në atë çfarë yjet kanë shkruar për të, çfarë do të ndryshonte Elsa Lila?", ishte pyetja e kryeministrit, drejtuar këngëtares.
"Nuk do ndryshoja asnjë pikë e asnjë presje nga çdo gjë që yjësia ka vendosur të eksperimentoja, sepse ndryshe unë nuk do isha kjo që jam sot apo ajo që do të jem nesër me të gjitha eksperiencat e tjera që jam e sigurt do më ndodhin, sepse akoma nuk kemi mbaruar, jemi rrugës. E vetmja gjë që do të ndryshoja, është që yjësia atë momentin e mamasë sime ta kishte eliminuar, ta kisha ende edhe sot. E vetmja, ajo. Pasi nuk ndodhi në mënyrë të natyrshme, por ndodhi në mënyrë artificiale", u shpreh mes dhimbjes Elsa Lila.
Ndërkohë kujtojmë se mamaja e saj humbi jetën në vitin 1997. Eva Vishaj u gjet e pajetë më 23 maj të atij viti, e qëlluar me një plumb në kokë pranë kilometrit të 29-të, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.
Për këtë vrasje, më vonë u akuzua Albenc Ago. Eva punonte si kameriere në lokalin “Juna”, që ndodhej në cep të parkut Rinia, ngjitur me Ministrinë e Mbrojtjes.
Mbi motivin e gjestit të tij, nuk u hodh asnjëherë dritë plotësisht, ndërsa Elsës i solli një vuajtje që e shënjoi për të gjithë jetën./Zëri.ai