
SINGAPOR- Princi William bëri një udhëtim me varkë në Singapor, përpara aktiviteteve për çmimet vjetore Earthshot Prize, që synojnë promovimin e kauzave të mbrojtjes mjedisore.
I veshur me një jelek shpëtimi dhe kapele të zezë, Princi i Uellsit u ul në një varkë të gjatë të ngushtë, ndërsa voziste me lojtarët e klubit British Dragons në lumin Kallang. Duke punuar në çifte, Uilliam dhe 19 lojtarët e tjerë bënë një xhiro nëpër lumë.
Varka e tij triumfoi në një garë të shkurtër me një varkë tjetër të drejtuar nga Komisionerja e Lartë britanike Kara Ouen. Nuk ishte hera e parë për Uilliam një sprovë e tillë, pasi ai kishte provuar të bënte një xhiro me varkë dhe me bashkëshorten, Kate, Princeshën e Uellsit, gjatë një turneu në Kanada në 2011.
Garat me ‘varkat dragon’e kanë origjinën nga Kina, 2000 vjet përpara se të bëheshin një sport modern ndërkombëtar në vitin 1976.
"Unë pata fatin të isha ulur pranë tij dhe ai është thjesht një djalë vërtet i mirë", tha Laura Greenuood, një emigrante britanike që është anëtare e British Dragons. “Ai ka shëtitur me varkë me dragua më parë, kështu që ndihej disi i sigurt në atë që po bënte. Ishim në një ritëm mjaft të shpejtë, kështu që ai vazhdoi të bënte shumë mirë”, tha një lojtare e klubit sportiv.
William, 41 vjeç, mbërriti të dielën përpara ceremonisë vjetore të çmimeve Earthshot, e para që do të mbahet në Azi. William dhe shoqata bamirëse e tij, Royal Foundation nisën konkursin global të mjedisit në 2020 për të promovuar zgjidhje dhe teknologji inovative për të luftuar ngrohjen globale dhe për të mbrojtur planetin nga ndotjet.
William do të drejtojë një ceremoni çmimesh, ku do ketë fitues në 5 kategori: mbrojtja e natyrës, ajri i pastër, ringjallja e jetës së oqeanit, eliminimi i mbetjeve dhe ndryshimi i klimës.
Secili fitues do të marrë 1 milion paund (1.2 milion dollarë) për t'i ndihmuar ata të zgjerojnë projektet e tyre për shtrirje më të gjerë globale. 15 finalistët, që përfaqësojnë gjashtë kontinente dhe të përzgjedhur nga 1,300 të nominuar këtë vit, do të marrin ndihmë në zgjerimin e projekteve të tyre./Zëri.ai/