
FRANCË- Pol Pogbaja, ish-kampioni i Botës, i pezulluar nga futbolli për përdorim dopingu, rishfaqet për mediat, konkretisht në GQ France. Ish-futbollisti i Junajtidit dhe Juventusi ka ndarë me publikun se pas pezullimit të tij ka rënë në depresion.
"Rashë në depresion pa e kuptuar - derisa më dolën disa njolla në kokë. Nuk kuptoja çfarë po ndodhte. Më thanë se ishte për shkak të stresit. Askush nuk të shpjegon se çfarë është depresioni", ishte rrëfimi tronditës i Pol Pogbasë.
Aktualisht Pogbaja ka shlyer dënimin dhe do të niset në futbollin e luajtur. Ai ka disa oferta për të shqyrtuar dhe dëshiron të marrë kohën e nevojshme për të vendosur për të ardhmen e tij profesionale. Mundësia më e madhe është që ai t'i bashkohet Leo Mesit te Inter Majemi në MLS, megjithatë ende nuk ka një firmë.
"Sot ka shumë propozime. Vijnë nga çdo anë. Dua të shoh çfarë më përshtatet më shumë, sepse jam në një moment vendimtar të jetës dhe karrierës sime. Është një vendim që do ta marr duke e peshuar me kujdes", u shpreh për të ardhmen e tij ish-kampioni./ZËRI