Qytetërim

Përballja me Italinë, Elseid Hysaj: Nuk kënaqem me pak, dua “bukën e madhe”

Hysaj foli edhe për pritshmëritë e skuadrës në këtë Europian dhe tha se shanset reale janë edhe për Shqipërinë, ndërsa shtoi se Kombëtarja duhet të fokusohet vetëm në fushën e lojës

f.t
Përballja me Italinë, Elseid Hysaj: Nuk kënaqem me pak, dua
Elseid Hysaj

GJERMANI- Sot, nga kampi bazë në SportCentrum Kaiserau anësori i mbrojtjes së Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj zhvilloi një konferencë për shtyp. Futbollisti kuqezi foli për sfidën e parë ndaj Italisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”. Hysaj foli edhe për pritshmëritë e skuadrës në këtë Europian dhe tha se shanset reale janë edhe për Shqipërinë, ndërsa shtoi se Kombëtarja duhet të fokusohet vetëm në fushën e lojës.

“Kam kaluar shumë momente të bukura në 2016, për pak ishim duke u kualifikuar. Me këtë grup është përsëri si familje. Të gjithë djemtë e rinj janë përshtatur mjaft mirë. Është grup fantastik, jemi në të njëjtin mendim dhe të gjithë të kënaqur. Patëm një pritje mjaft të ngrohtë, tifozët shqiptarë e duan shumë Kombëtaren. Ata do e mbushin stadiumin ndaj Italisë si në Euro 2016. Jemi një skuadër e re, po punojmë mirë. Rëndësi ka të ruajmë qetësinë në fushë, pasi Italia është ekip i rrezikshëm.  Të gjithë skuadrat kanë pika të dobëta. Do përpiqemi të gjejmë dobësi tek Italia, do na ndihmojë edhe trajneri. Italisë i mungon një bomber. Immobile është kampion, prisja të luaja përballë tij, më vjen keq që nuk është, por sezoni i fundit nuk ka qenë shumë pozitiv për të.  Tani jam një Hysaj me më shumë eksperiencë, me shumë gjëra në kokë. Nuk kemi ardhur për të kaluar kohën këtu. Nuk kënaqem me pak bukë, dua bukën e madhe. Të mos kemi pengje në fund Në 2016 isha i ri, isha shumë i kënaqur, tani dua të arrij më shumë. Shpresoj që të gjithë të kemi urinë e duhur. Arritja do të jetë që gjithë Shqipëria të na duartrokasë pas ndeshjeve. Të jemi krenarë, si në humbje dhe në fitore. Të kthehemi në shtëpi me kokën lart”,-tha Hysaj. 

Ndeshja Shqipëri-Itali do të luhet të shtunën e ardhshme më 15 qershor në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit./ZËRI

Poll

MOS HUMB