
ITALI- Formula 1 nis këtë fundjavë. Ferrari ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës sepse dyshja e pilotëve të saj për vitin 2025, ‘’nuk ka të sharë’’. Ljuis Hamilton (Lewis Hamilton) është i uritur për të shkruar historinë e parakalimit të Shumakerit për kampionate të fituara dhe i gatshëm t’i bëj një mbyllje me dafina karrierës së tij.
Dy pilotët e Ferrarit nuk ndajnë vetëm të njëjtën skuderi. Sharl Leklerk (Charles Leclerc) dhe Ljuis Hamilton (Lewis Hamilton) ndajnë pasione të përbashkët për motorët edhe jashtë pistave. Këto pasione, duke cituar ‘’Vanity Fair’’, i sillte dje shtypi sportiv italian. Konkretisht, nga "Gazzetta dello Sport" mësojmë se të dy ata kanë koleksione të makinave prestigjioze, me modele Ferrari si Daytona SP3 (I Leklerkut) dhe LaFerrari për Hamiltonin. Daytona SP3 e Leklerkut, me motor V12 dhe një fuqi prej 840 kuajsh, arrin deri në 340 km/h. Hamiltoni, përpara se të kalonte në Ferrari, kishte një SF90 Stradale dhe dy LaFerrari, modele që kombinojnë motorë V12 dhe komponentë elektrikë.
Leklerku, përveç supermakinave, ka edhe një Fiat 500 të vitit 1969, makina e tij e parë. Hamiltoni ka gjithashtu një Shelby Cobra 427 të vitit 1967, model i rrallë të cilin e bleu pas vlerësimit personal të Carroll Shelby-t.
Koleksioni i Leklerkut përfshin gjithashtu një Ferrari Roma të zezë me motor V8, e aftë të arrijë nga 0 në 100 km/h për 3.4 sekonda. Hamiltoni ka edhe një McLaren P1, një makinë hibride me 916 kuaj fuqi që arrin shpejtësinë 100 km/h në 2.8 sekonda, dhe një McLaren F1, të dhuruar nga Ron Dennis.
Të dy shokët e rinj të skuadrës ‘’Ferrari’’ nuk koleksionojnë vetëm super makina dhe vjetërsira të çmuara, por edhe motoçikletat janë pjesë e pasioneve të tyre. Leklerku ka një Husqvarna Vitpilen 701 dhe një Vespa të kuqe, ndërsa Hamiltoni ka krijuar një model ekskluziv të personalizuar të MV Agusta, si Dragster RR LH44 dhe F4 RC LH44. A do t'i bashkohet edhe ndonjë titull rateve të koleksionistëve të apasionuar të Ferrarit? Kjo mbetet për t'u parë./ZËRI