Qytetërim

Në tryezën juventine po shqyrtohen të gjithë skenarët për të ardhmen e trajnerit Mota

Skuadra ka mbetur jashtë objektivave sezonalë, pasi më 19 shkurt PSV Eindhoven e eliminoi nga Liga e Kampionëve në fazën e 1/32-ve me një rezultat të përgjithshëm 4-3.

Redaksia Zëri
Në tryezën juventine po shqyrtohen të gjithë skenarët
Tiago Mota

TORINO- Tiago Mota e nisi javën me një seancë stërvitore me skuadrën bardhezi, por humbja 0-4 ndaj Atalantës në Torino nuk mund të kalohej lehtë. Atmosfera në kampin juventin është e rënduar, si për stafin dhe lojtarët, ashtu edhe për drejtuesit e klubit.

Orët e Motës në krye të ekipit duken të numëruara, sipas disa prej gazetave dhe uebsajteve kryesore të futbollit italian.
Arsyet janë të qarta. Skuadra ka mbetur jashtë objektivave sezonalë, pasi më 19 shkurt PSV Eindhoven e eliminoi nga Liga e Kampionëve në fazën e 1/32-ve me një rezultat të përgjithshëm 4-3. Juventusit i peshoi humbja 3-1 në Eindhoven. Më 26 shkurt Juventusi u eliminua në çerekfinalet e Kupës së Italisë nga Empoli, dhe kjo humbje e pamendueshme në Torino. Në kampionat ekipi ndodhet 9 pikë pas Interit kryesues, ka barazuar 13 herë duke humbur 26 pikë dhe ka shënuar 18 gola më pak se sa Interi dhe Atalanta. Shanset për të fituar titullin janë ndjeshëm më të ulëta se ato të Interit, Napolit dhe Atalantës.
Për të ndërtuar "Juventusin e ri të Tiago Motës", drejtuesit shpenzuan 193.3 milionë euro me një deficit prej 87.4 milionë eurosh në raport me shitjet. Në skuadër u afruan Kopmejners për 54.5 milionë euro, Dagllas Luiz për 51.5 milionë euro, Kefren Turam për 20.7 milionë euro, Alberto Kosta për 13.8 milionë euro, Huan Kabali nga Verona për 12.8 milionë euro, Niko Gonzalesi me një formulë gjysëmhuazimi, që gjithsesi si operacion blerjeje kushtoi 28 milionë euro. Fransisko Konseisajo ishte një tjetër afrim i bujshëm me një huazim prej 7 milionë eurosh, i kushtueshëm. Megjithatë, ky revolucion nuk ka sjellë rezultatet e pritshme dhe aktualisht po shqyrtohen disa mundësi.

Njëra prej këtyre mundësive është dorëheqja e Motës pas një fitoreje, për t’i dhënë atij një dalje me dinjitet nga skena, në respekt të karrierës së tij.

Një tjetër mundësi është që ai të qëndrojë deri në qershor, pas së cilës do të shkarkohej përpara Botërorit të Klubeve, duke i lënë vend trajnerit të ri për të ndërtuar filozofinë e tij të punës dhe të eksperimentojë në këtë turne ku Juventusi është pjesëmarrës.

Alternativa e tretë është shkarkimi i menjëhershëm pas një tjetër rezultati negativ. Vëmendja është drejtuar te ndeshja e radhës në Firence, ku Fiorentina nuk mund të lejojë hapa fals për shkak të objektivave evropianë. Në këtë rast mund të emërohet përkohësisht një nga trajnerët e Juventus Next Gen (grupmoshave) ose një figurë me përvojë dhe sukses në trajnim, si Igor Tudor, i cili është i papunë, tifoz juventin, dhe i sporvuar dy herë në kampionatin italian, së fundmi me Lacion, që ‘’dorën e fortë’’ të trajnerit të përkohshëm e bën më së miri.

Për sezonin e ardhshëm, "Tuttosport" raporton se kandidati më i mundshëm është Gasperini, pas njoftimit të divorcit të tij me Atalantën, ndërsa emrat e Kontes dhe Mançinit përmenden gjithashtu në diskutime.

Për momentin, Tiago Mota vazhdon të jetë trajneri zyrtar i Juventusit, edhe pse në rrezik. Kontrata e tij skadon më 30 qershor 2027. Në 41 ndeshje nën drejtimin e italo-brazilianit, Juventusi ka regjistruar 18 fitore, 16 barazime dhe 7 humbje, është jashtë garës për titull, i eleminuar nga Kupa e Italisë dhe i eleminuar nga Liga e Kampioneve./ZËRI

Poll

MOS HUMB