
ITALI- Nën urdhrat e Fabregasit te Komoja, si organizator dhe mesfushor me tipare sulmuese, argjentinasi Niko Paz, ende 10 gara deri në mbarimin e kampionatit, ka regjistruar 6 gola dhe 6 asiste. Lionel Skaloni i Argjentinës i dha 14 minuta kënaqësi të aktivizimit kundër Brazilit në fitoren historike 4-1 të fundjavës.
Mirëpo ajo që pakkush di për argjentinasin e pazakontë të mesfushës është se paraqitja e tij në Itali shkon shumë përtej disa shifrave të mira për gola dhe asist. Niko Pazi është dribluesi më i suksesshëm në Itali. Ai është i dyti në Itali për rrezikshmëri porte. Ai është i treti në Itali për sipërmarrje duke provuar jashtë porte. Në pasime kyçe renditet vetëm 4 pasime larg vendit të tretë, që është Leaoja, 44-40. 36 herë ka provuar jashtë kuadratit këtë sezon. 34 herë ka provuar portën, 3 më pak se sa vendi i parë. Argjentinasi ka 5 driblime të sakta më shumë se sa Leoja dhe 12 më shumë se sa Jildizi, dy driblues natyral.
6 milionë euro pagoi Komoja, me zërin që Reali i Madridit mund të ushtrojë të drejtën e riblerjes me një çmim të paracaktuar brenda 3 vjetëve. Reali i Madridit ka nisur të mendojë rikthimin e tij në Madrid duke shfrytëzuar saktësisht këtë të drejtë. Ndërkaq, Havier Zaneti, duke shfrytëzuar miqësinë me ish-fituesin e medaljes së argjentë me kombëtaren olimpike të Argjentinës në Atlanta 1996, babain e futbollistit, Pablo Pazin, ka bërë po ashtu përpjekjet e para për ta bërë interist. Nëse Komoja e siguroi për 6 milionë euro, ajo që është e sigurt është se pas paraqitjeve të këtij sezoni Niko Pazi, për skuadrat e tjera që nuk janë Reali i Madridit, nuk është i arritshëm pa 50 milionë euro./ZËRI