
MAJEMI-Të gjitha gjasat janë që, edhe pa luajtur, kur Janik Sineri të kthehet në fushë nga skualifikimi në fillim të majit, të jetë ende numri një i Botës.
I vetmi që mund të arrinte pikët e nevojshme për ta kaluar atë ishte numri dy i Botës, gjermani Aleksandër Zverev. Pas eliminimit të shpejtë nga BNP Paribas Open, Zverevi dje, përballë francezit Fils, humbi edhe mundësinë të vijonte më tej në Majemi Open.
Në raundin e katërt të Masters 1000 të Majemit, i talentuari Arthur Fils, në tre sete që zgjatën 1 orë e 59 minuta, fitoi (3-6, 6-3, 6-4). Zverevi humbi një avantazh të rëndësishëm në setin e tretë, ku ishte në epërsi 3-1 me shërbim. Për të disajtën herë Zverevi humb kontrollin e një ndeshjeje në avantazhin e tij, çfarë përveç rezultateve, është një tjetër e dhënë se pse Janik Sineri mund të vazhdojë ta ruajë kreun derisa të rikthehet nga pezullimi./ZËRI