
GJERMANI- Gazetari Felix Gorner ka zbuluar informacione të reja për gjendjen e legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, i cili është në koma pas një aksidenti me ski në vitin 2013. Deklarata e gazetarit Felix Gorner konfirmon më tej atë që supozohet prej kohësh - Schumacher është në gjendje të keqe dhe kërkon kujdes të vazhdueshëm.
"Situata është shumë e trishtueshme. Ai është një person që ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm, plotësisht i varur nga kujdestarët e tij. Ai nuk mund të shprehet më as me gojë,”- zbuloi gazetari i RTL, Felix Gorner, i cili ka ndjekur nga afër karrierën e shtatë herë kampionit të Formula 1.
Po ashtu, shtoi se ka një numër të vogël njerëzish nga rrethi më i ngushtë i familjes dhe miqve të tij që lejohet që të kenë kontakte me të.
"Lejohen të afrohen maksimumi 20 persona dhe kjo është qasja e duhur për mendimin tim. Familja po punon për interesat e tij më të mira. Ai ka qenë gjithmonë një person që ka dashur privatësi dhe kjo nuk do të ndryshojë,”- shton gazetari gjerman.
Që nga aksidenti i tij me ski në Alpet Franceze me djalin e tij Mick, Schumacher është duke u mbajtur nën përkujdesje të vazhdueshme. Gruaja e tij, Corinna, e ka mbajtur gjendjen shëndetësore të "Shumit" shumë private, duke e mbrojtur ish-pilotin nga sytë e publikut. Përditësimi i fundit publik për gjendjen e tij ishte në vitin 2020 kur ai iu nënshtrua trajtimit me qeliza staminale./ZËRI