
DUBAI-Makina e ish-trajnerit të kombëtares shqiptare të futbollit, Kristian Panuçit, ish-futbollist i Milanit dhe Romës dhe aktualisht opinionist në Mediaset, u përpi nga flakët në natën mes së shtunës dhe së dielës, në vilën e tij në zonën Spinaceto, në periferi të jugut të Romës.
Audi Q8 në pronësinë e ish-trajnerit kuqezi u shkatërrua plotësisht nga zjarri. Sipas të dhënave paraprake të hetimeve të kryera nga karabinierët dhe zjarrfikësit, duket të ketë qenë i qëllimshëm. Pamjet e kamerave të sigurisë në pronë dhe përgjatë rrugës po analizohen për të zbuluar shkakun dhe autorët e mundshëm.
Hetuesit nuk përjashtojnë asnjë pistë, duke hetuar nëse bëhet fjalë për një akt vandalizmi, një tentativë grabitjeje që ka dështuar, apo një akt frikësues.
Aktualisht nuk ka kërcënime të njohura ndaj Panuçit, i cili ndodhej në Dubai në momentin e incidentit. Ai pritet të merret në pyetje pas kthimit të tij në Itali. Hetimet po vazhdojnë me kujdes, ndërkohë që autoritetet po kontrollojnë edhe nëse në zonë ka pasur ngjarje të ngjashme kohët e fundit. Panuçi e drejtoi kombëtaren tonë për 15 ndeshje, nga mesi i vitit 2017 deri në vitin 2019, ku do të mbahet mend për rezultate të dobëta, 9 humbje, 2 barazime dhe vetëm 4 fitore./ZËRI