
SHBA - Bordi i Drejtorëve të kompanisë OpenAI, i cili kontrollon ChatGpt, është në negociata me Sam Altman për kthimin e tij në kompani si CEO.
Këtë e raporton The Verge, duke cituar disa burime, sipas të cilave Sam Altman nuk është i sigurt për kthimin e tij dhe do të dëshironte ndryshime të rëndësishme në drejtim. Altman u pushua nga puna në mënyrë të papritur rreth 24 orë më parë.
Zëvendësimi
Në vend të Altman-it, në mënyrë të përkohshme, u emërua inxhinierja mekanike, ish-drejtuesja e teknologjisë së kompanisë, shqiptarja Mira Murati, 34 vjeçe. Tani, megjithatë, duket se OpenAI po shqyrton mundësinë e rikthimit të ish-drejtuesit. Sipas burimeve të cituara nga faqja amerikane, bordi i drejtorëve i kërkoi Altman që të kthehej menjëherë në rolin e tij si CEO.

Kushtet e Altman
38-vjeçari nga Çikago ka kërkuar si kusht dorëheqjen e të gjithë bordit, me të cilin dukshëm është prishur marrëdhënia e besimit.
Investitorët janë të shqetësuar nga largimi i tij, sepse Sam Altman është fytyra më e njohur e kompanisë. Bordi, sipas burimeve pranë Altman, kishte dhënë gjithashtu pëlqimin për dorëheqjen, por më pas duket se është penduar për vendimin. Sipas Bloomberg, megjithëse Microsoft - financuesi kryesor i OpenAI - konfirmoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të kompanisë në një shënim, CEO i saj Satya Nadella tani është në kontakt me Altman për të diskutuar kthimin e tij.
Altman, megjithatë, do të tërhiqej edhe nga ideja për të hapur kompaninë e tij, me qëllimin për të konkurruar me ata që, sipas këndvështrimit të tij, e kanë ‘goditur pas shpine’. Përveç Greg Brockman, Altman mund të gjejë mbështetjen e punonjësve të shumtë të OpenAI, të cilët, sipas asaj që thuhet, do të ishin gati ta ndiqnin atë. Edhe disa investitorë do ishin gati të punonin për të./Zëri.ai/