TIRANË - Arbër Abilaliaj do të jetë zyrtarisht trajneri i ri i Partizanit. Ai do të ketë njëkohësisht rolin e teknikut dhe të drejtorit sportiv.
Në konferencën për mediat, Abilaliaj deklaroi se është i gatshëm të çojë projektin e ekipit deri në fund dhe se ka besim tek lojtarët që ka në dispozicion.
“Dua të falënderoj të gjithë familjen e kuqe, presidentin Demi për të gjithë mbështetjen, sepse realisht unë e kam thënë dhe më parë, që është një projekt që ka nisur dy vite më parë për të ndërtuar një ekip që do të imponohej në mënyrën më të mirë të mundshme. Që nga dita e parë që kam ardhur këtu jam ndjerë si në shtëpi, jam ndjerë që mund të jap shumë më shumë nga vetja. Kemi bërë një pjesë të rrugës të mirë. e kam thënë dhe më përpara, është një proces shumë i gjatë. Është një proces si klub dhe si komunitet i kuq janë shumë të mëdha. Dëshira apo vetëbesimi për të bërë mirë, sidomos në këtë ambient, besoj se ka qenë shumë natyrale dhe shumë e thjeshtë për të arritur këto rezultate. Por e kam thënë dhe njëherë që është vetëm fillimi i një rruge të gjatë. Zhvillimi i klubit dhe i futbollistëve që është objektivi ynë kryesor do të na hajë shumë kohë.
Në asnjë moment, që nga dita e parë jam ndjerë si në shtëpi, sepse nuk ka qenë asnjë presion që mund të më frenojë se çfarë mund të bëj për këtë klub. Ka qenë një presion i mirë patjetër, në një klub kaq të rëndësishëm të jep mundësinë të shkosh te rezultatet. Nuk është vetëm mirë për një drejtues, por është mirë që ta ketë çdo trajner ose çdo klub. Si në kampionatin shqiptar, por edhe në kompeticionet europiane.
Jemi një nga skuadrat që në sezonin e verës kemi punuar me mjaft kujdes, por duke parë edhe afrimet që janë bërë, kanë qenë afrime që na kanë ndihmuar edhe në fillim të sezonit. kemi pasur dhe mungesa të cilat nuk janë ndjerë aspak në përbërjen e ekipit. Është një gjë që mund të konsiderojmë futbollistët që po riaftësohen dhe nuk kanë qenë prezent në ekip, nga janari mund t’i konsiderojmë blerje të reja duke pasur parasysh se kemi shumë lojtarë të rëndësishëm që kanë qenë jashtë për një kohë shumë të gjatë. Mund të ndërhyjmë, por ndoshta vetëm në një pozicion, asgjë më pak asgjë më shumë. Dëshira ka qenë që ky ekip që u formua në qershor të jetë i konsoliduar në qershorin që vjen dhe të kemi mundësinë të bëjmë një sezon europian më të suksesshëm se ai që lamë mbrapa”, tha Abilaliaj.
Ai shtoi se Partizani asnjëherë nuk e ka diskutuar të qenit në fazën e Final 4 dhe se ka besim, se të kuqtë do të fitojnë sërish kampionatin. Më herët, u përmend se në krye të pankinës së Partizanit do të jetë ish-trajneri i Brazilit Carlos Dunga, por lajmi u përgënjeshtrua nga klubi i kuq./Zëri.ai/