
ZVICËR- Çdo vit, UEFA publikon raportin e saj mbi Financat dhe Investimet e Klubeve Evropiane. Ky raport citohet në botën e sportit si analiza më e detajuar e financave të klubeve. Të ardhurat e krijuara nga klubet prej shitjes së fanellave janë një zë i dedikuar i këtij raporti. Raporti i takon sezonit 2023/2024.
Reali i Madridit udhëhoqi Evropën në drejtim të shitjeve të fanellave vitin e kaluar, duke gjeneruar 196 milionë euro. Sukseset e klubit, baza e zgjeruar e tifozëve anembanë Botës dhe afrimi i Mbapesë dhanë rezultat, siç pritej nga menaxherët e madrilenëve.
Pas tij, Bajerni i Mynihut dhe Barcelona regjistruan 171 milionë euro fitim nga shitjet e fanellave të tyre, ndërsa klubet angleze, Liverpuli dhe Mançester Junajtidi regjistruan secili 146 milionë euro. Arsenali arriti në shifrën 120 milionë euro, ndërsa Totenhami dhe Çelsi regjistruan shifrat 96 dhe 95 milionë euro. Mançester Siti i ka patur trofetë e shumtë, sidomos në nivel vendor, e megjithatë shet vetëm 76 milionë euro fanella.
PSG-ja është skuadra e vetme franceze mes njëzet të parave me më shumë shitje fanellash dhe regjistron 81 milionë euro të hyra. Skuadra italiane që shet më tepër fanella është Juventusi (74 milionë), pas tij renditet Milani (59 milionë), Interi (46 milionë) dhe Roma (27 milionë).
Klubet turke si Galatasaraj (85 milionë), Fenerbahçe (69 milionë) dhe Beshiktash (34 milionë) përfaqësojnë një sinjal të bukur të atij që mund të quhet ‘’futbolli periferik’’ nga qendrat tradicionale të Evropës së futbollit. Edhe për Seltikun e Gllasgout (35 milionë) mund të thuhet e njëjta gjë. Baza e tyre e tifozëve duket e shtrirë anekënd kontinentit dhe ato përfaqësojnë një fenomen të padiskutueshëm besnikërie futbollistike.
Borusia e Dortmundit (72 milionë), Ajaksi i Amsterdamit (33milionë) shfrytëzojnë ende prestigjin e tyre historik dhe gjenerojnë të ardhura të mëdha pavarësisht rezultateve./ZËRI