Qytetërim

Tare dhe Milani; një histori kujtimesh të bukura dhe pikëlidhjesh të hershme

Tarja luajti ndeshjen e parë në elitën italiane më 28 janar 2001 me fanellën e Breshias pikërisht kundër Milanit.

Redaksia Zëri
Tare dhe Milani; një histori kujtimesh të bukura dhe pikëlidhjesh
FOTO ILUSTRUESE

ITALI- Igli Tarja ka disa pika kyçe që e lidhin me Milanin, duke filluar nga debutimi në Serinë A e deri te një ofertë për t’u bashkuar me kuqezinjtë në drejtim. Këto pika, duke e vendosur në qendër figurën e ish-sulmuesit të kombëtares shqiptare, tani që duket pranë emërimit si drejtor sportiv i milanistëve, i listonte dje një artikull i "La Gazzetta dello sport":

Pikëlidhja e parë e Tares me Milanin ishte debutimi në Serie A kundër Milanit. Tarja luajti ndeshjen e parë në elitën italiane më 28 janar 2001 me fanellën e Breshias pikërisht kundër Milanit. Shtatëlarti shqiptar hyri në fushë si zëvendësues i Andrea Pirlos në minutat e fundit, ndërsa ndeshja përfundoi 1-1.

Pikëlidhja e dytë është dopieta historike e Igli Tares, që e tronditi Milanin e trajnerit turk, Fatih Terimit. Në sezonin 2001-2002, Tare shënoi dy gola me kokë brenda pesë minutave në fitoren e Breshias ndaj Milanit të drejtuar nga Fatih Terim. Kuqezinjtë arritën të barazonin, por ajo ndeshje mbeti një nga më të spikaturat në karrierën e tij dhe më të freskëtat në kujtimet e tifozëve kuqezinj dhe dashamirës të shqiptarit.

Pikëlidhja e tretë është ajo personalja me Ibrahimoviçin. Tare dhe Ibrahimoviçi, sipas artikullit, janë njohur përmes Gea World, agjencia e dikurshme e familjes Moggi. Sot, Ibra është këshilltar i Milanit dhe nuk përjashtohet një ribashkim i tyre në të ardhmen falë sugjerimeve të boshnjakut.

Pikëlidhja e katërt është telefonata e dikurshme e Maldinit për ta sjellë në Milan
Në vitin 2019, Paolo Maldini i bëri një ofertë për t’u bashkuar me Milanin si drejtues, por Tare refuzoi, duke qëndruar te Lazio. Ai e konsideroi të pamundur largimin, pasi klubi lacial ishte në kulmin e projektit të tij. Kjo ftesë është e konfirmuar nga të dy palët.

Pikëlidhja e pestë është emri i kollonës kryesore të Milanit të ri, Pavloviçi, një transferim i dështuar i Lacios së Tares dikur. Tare kishte zbuluar talentin serb Strahinja Pavlovic kur ky ishte vetëm 19 vjeç te Partizani i Beogradit. Tare kishte përgatitur gjithçka për ta transferuar te Lacioja, por problemet shëndetësore të serbit gjatë kontrolleve e ndaluan marrëveshjen. Ironikisht, sot Pavlovic është një nga emrat e njohur te Milani.

A linte diçka pa listuar ky artikull? Po. Këtu mund të ndihmojmë ne.

Së gjashti, në një intervistë të hershme për mediat shqiptare, Igli Tare pati lënë të kuptohej një "feeling" prej tifozi të hershëm të Milanit të hollandezëve.

Së shtati, Pavloviçi nuk është emri i vetëm që Tarja mbërrinte përpara agjentëve të Milanit, mbase kështu ata e kanë ndjerë në lëkurë zotësinë e tij: Reijnders dhe Okafori, ishin dy të tjerë, të cilët nuk gjetën pëlqimin e stafit teknik të bardhekaltërve. Për ironi, të dy ata e kanë ndëshkuar Lacion në përballjet direkte sezonin e shkuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB