
MADRID - Prokurorët spanjollë kërkuan të martën dënime me katër vjet burg për katër burra të arrestuar nën dyshimin se kishin varur një dordolec në një urë, ku ishte vizatuar fytyra e sulmuesit të Realit, Vinicius. Dordoleci, veshur me fanellën e brazilianit, ishte varur në një urë të një autostrade pranë terrenit stërvitor të Real Madridit më 26 janar, përpara ndeshjes së Realit kundër Atletico Madrid.
Një banderolë me ngjyrat bardhekuq të Atleticos, që mbante mesazhin "Madridi e urren Realin", ishte vendosur gjithashtu mbi urë. Policia në maj arrestoi katër burra, të cilët besohet se e vendosën dordolecin, një akt që oficerët e konsideruan si krim urrejtjeje.

Prokurorët akuzuan të martën katër burrat - të gjithë anëtarë të Frente Atletico, një nga grupet ultra të tifozëve të Atletico Madridit - për kërcënime kundër lojtarit dhe shkelje të të drejtave të tij themelore dhe kërkuan që secili të dënohej me katër vjet burg. Vinicius Junior, i cili është lojtar me ngjyrë, ka rënë shpesh pre e racizmit në Spanjë.
Ai u ankua për racizëm në stadiumin Mestalla të Valencias në maj, duke fituar mbështetje në mbarë botën. 23-vjeçari dëshmoi para një gjykate spanjolle më 5 tetor me video, si pjesë e një hetimi për akte raciste në Valencia./Zëri.ai/