
BARCELONË- Gruaja që akuzon ish-futbollistin e Barcelonës, Dani Alves për përdhunim, ka kërkuar një dënim 12 vite burg për lojtarin, siç raportohet nga El Periódico dhe konfirmohet nga Agjencia Katalanase e Lajmeve (ACN). Ajo thotë se ylli brazilian e përdhunoi në banjën e klubit të natës Sutton, në Barcelonë, më 30 dhjetor 2022. Alves ka qenë në burg që nga 20 janari, pasi Gjykata e Apelit të Barcelonës refuzoi lirimin e tij në tre raste, sepse ai përbënte rrezik për të ikur.
Prokurorët kërkuan së fundmi një dënim me nëntë vite burg për Alves, por paditësja ka kërkuar edhe tre vite të tjera, koha maksimale ligjore e lejuar për krimet e përdhunimit. Edhe prokuroria, edhe paditësja kërkojnë dëmshpërblim prej 150 mijë eurosh. Përveç kësaj, prokurorët kërkojnë gjithashtu një ndalim për gjashtë vjet të kontaktit dhe komunikimit të Alves me viktimën e sulmit të dyshuar të tij seksual dhe gjashtë vjet të tjera mbikëqyrje në liri. Ish-futbollisti ka ndryshuar disa herë historinë e tij, por asnjë version i tij nuk e ka ndihmuar të dalë nga burgu. Në muajt e fundit, mbrojtja e Alves është përpjekur të negociojë një marrëveshje me prokurorinë dhe paditësen, por pa dobi.
Dani Alves u raportua në polici për sulm seksual nga një grua 23-vjeçare, e cila e akuzoi se e kishte përdhunuar në banjën e një zone VIP në klubin e natës Sutton në Barcelonë, natën e 30 dhjetorit 2022. Ka prova të qarta që janë kundër futbollistit. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin, kur ai dhe gruaja shkojnë në banjë dhe gjithashtu në trupin e gruas janë gjetur mbetje AND-je të lojtarit./Zëri.ai/