
ITALI- Përpara kamerave doli kapiteni. Lautaro Martinezi i vë fytyrën dhe zërin e tij momentit më kyç të skuadrës zikaltër. Sapo janë eleminuar nga Kupa e Italisë, kanë humbur kryesimin me Napolin dhe do të përballen me Barcelonën në një nga momentet më të mira futbollistike të gjeneratës së tanishme.
Kapiteni i Interit, Lautaro Martinezi dha një mesazh të qartë: ekipi është i vendosur të ndjekë shembullin e Interit të vitit 2010, që eliminoi katalanasit me grintë dhe unitet.
“Jemi të bashkuar dhe të gatshëm për të dhënë gjithçka. Duam të luajmë një tjetër finale,”- ishin fjalët e sulmuesit argjentinas, që theksoi rëndësinë e përqendrimit në mbrojtje dhe forcës së grupit për të kaluar shijen e keqe të disfatave në seri. Martinezi, i pyetur nga gazetarët mbi detaje të tjera, theksoi se për të, suksesi i skuadrës vjen përpara çdo çmimi personal si Topi i Artë.
“Mendoj të fitoj për tifozët dhe familjet tona. Nëse vijnë çmime individuale, janë meritë e ekipit”, u përgjigj ai. Pasi karikoi Interin, u kujdes të shkarikonte Jamalin e Barcelonës, lojtarin më të mirë të kundërshtarëve. I pyetur për talentin e Barcelonës, Lamin Jamalin, argjentinasi ishte i prerë: Nuk mund të krahasohet me Mesin. Leoja është më i madhi i të gjitha kohërave.
Interi po pret me ankth edhe vendimin për gjendjen e Markus Turamit, një element kyç në ofensivën zikaltër, që u ka shkaktuar një boshllëk të madh në aksionet sulmuese./ZËRI