Qytetërim

Lamtumirë Zef Deda...

Ylli i estradës së Shkodrës mbylli sytë sot, pasi prej një viti luftonte me një sëmundje të rëndë, e cila nuk e la më të jetonte. 

k.m.
Lamtumirë Zef Deda...
Zef Deda

SHKODËR- Gjithë jetën e kaloi në skenë, e për të dashuria e parë dhe më e madhe është teatri "Migjeni", të cilit i ka puthur edhe muret. Por në atë skenë, nuk do të ngjitet më aktori i madh i humorit, Zef Deda. Ylli i estradës së Shkodrës mbylli sytë sot, pasi prej një viti luftonte me një sëmundje të rëndë, e cila nuk e la më të jetonte. 

Zef Dedën, humoristin e papërsëritshëm, kunatin e shokut Xhemal, Çaplinin shqiptar, të gjithë e njohim, ndaj edhe sot e ndjejmë më shumë humbjen e tij. Zef Deda lindi në vitin 1950 në qytetin e Shkodrës. I aktivizuar në skenë qysh në moshën 5-vjeçare, Zef Deda luante vetëm për të atin, mbështetësin e tij të parë, babanë Pjetrin.

"Unë jam rritur në Teatrin e Shkodrës, jam rritur mes intelektualëve, si Tani Banushi, Zyliha Miloti, Zef Jubani, Lec Bushati, Bep Shiroka. Thoshin që isha i shkathër, por edhe i zgjuar. Baba më ndiqte çdo shfaqje dhe i pyeste aktorët, Zef Jubani i thoshte: E ke të përkryem Pjetër. Kur isha i vogël më vente në prehër dhe më thoshte 'Zekoja do bëhet artist i mirë',"-tregonte Zefi me lot në sy për të atin.

 

Përpos kësaj Deda është ndalur edhe tek fëmijëria e tij, ku ka treguar disa momente edhe me nënën e tij.

“Kujtoi nënën dhe mundin e saj për të na rritur pasi baba na la të vegjël. Pastruese shkolle ka qenë dhe kursente çdo gjë për ne. Aq para sa kishte mua do më blente gjithmonë libra pasi e shikonte që po bëhesha artist”.

Por me humbjen e të atit, u desh që t'i dedikohej punës për të ndihmuar në familje. U angazhua si tornitor në hidrocentralin e Vaut të Dejës, por sërish nuk e la pas dore artin. Edhe në hidrocentral iu bashkua estradës së Vaut të Dejës, me të cilën mori çmimin e tij të parë. 

"1967 u bë konkursi, unë punoja tornitor në Vaun e Dejës. U bë festivali i amatorëve, estradës së Vaut të Dejës i dhanë çmim. Aty mora çmimin e parë Laureat i Republikës së Shqipërisë. 17 vjeç isha. Nëna ka qarë edhe unë qava se mu kujtua baba."

ROLI EMBLEMË

Nëse kujton Zef Dedën, kujton menjëherë edhe kunatin e shokut Xhemal. Një rol që e kërkoi vetë shumë në teatër, por nuk e realizoi aq shpejt sa donte. Në përpjekje për të lënë rolin e gjeti atë pikërisht me mënyrën sesi po qëndronte në këmbë. 

"E kërkova vetë rolin. 15 ditë kaluan dhe nuk e kapa dot rolin e Lonit, e di sa kam vuajtur se e kërkova vetë. Si more të gjithë e kishin kapur, unë që e kërkova vetë? Kam vuajtur shumë, si mbeta unë? Të gjithë më shikonin, unë isha kontraktuar. I thashë regjisorit të lutem unë nuk kam aftësi për të luajtur Lonin, jepja dikujt tjetër. Edhe ashtu mbeti roli i Lonit. Kur dola me 3-4 janar në rrugë, të gjithë më puthnin. kudo që shkoj kunati i shokut Xhemal më thonë. Më kujtonin shumë, faleminderit për tyre."

Por gjithashtu mbahet mend edhe për imitimin thuajse perfekt të Charlie Chaplin. 

"Kur e kam parë për herë të parë Chalie-n unë kam qarë. Nuk më zinte gjumi natën. Kur hyj profesionist në teatër me vjen në mend që t'i bëj një etyd. E hodha në skenë."

Por me karrierën në ngjitje, pësoi goditjen e parë! 

Regjimi i kohës gjykonte se kishte në mendje mendime që nuk përputheshin me kodin e kohës, ndaj edhe Zef Deda mbyllet në psikiatri dhe shkatërrohet me injeksione…

Më shumë detaje ka sjellë vetë i biri, po ashtu aktor, në një intervistë, ku zbuloi sesi regjimi monist i asokohe e trajtoi Zef Dedën me medikamente për të sëmurë psikik, nga frika se mos arratisej jashtë vendit.

“Më herët kam qenë 5 apo 6 vjeç, sepse nuk e mbaj mend mirë (moshën)… Im atë u sëmur dhe rrinte shumë në shtëpi, nuk doli më në televizor për një vit, pastaj iku me kurime jashtë njëherë në Vjenë dhe më pas në Hungari. Ne ishim vetëm me mamin. Mendja na rrinte gjithmon atje dhe kjo ishte periudha më e vështirë e jetës tonë sepse ai dëmtim që kishte në këmbë, në atë kohë nuk mund të bëhej në Shqipëri dhe mund t’i merrte edhe jetën. Konjukturat e asokohe e çuan në spital, madje e kuruan edhe për të sëmur psikik sepse thoshin që “ky bën kështu sepse do të dalë jashtë shtetit. Do të arratiset ky aktori dhe shtiret sikur i dhëmbë këmba”. Ata mendonin se donte të ikte, pasi problemi që kishte në këmbë ishte ende i panjohur e i pakurueshëm për mjekësinë këtu te ne. Në fakt ai kishte thjesht këmbën dhe e nisën për kurim jashtë vendit kur e panë që nuk doli në televisor natën e Vitit të Ri. Atëhere po të mos dilje në televizor natën e Vitit të Ri, për një aktor, kishe probleme. Kur nuk doli, u shqetësua Byroja politike. Thanë, po ku është ky aktori. Sepse aso kohe nuk ishte si tani që mund të mos dalësh nga 4 vite në skenë dhe s’kujtohet njeri për ty. Atëherë kujtoheshin. Pyetën ku është ky? Dhe u thanë që është keq nga këmba në shtëpi. Pastaj e dërguan në Hungari dhe madje edhe atje me diagnozën i sëmurë psikik, derisa mjekët e vunë re vetë se çfarë kishte dhe e kuruan,”- tregoi Deda.

Sëmundja e goditi sërish në 17 Shkurt, 2016. Aktori kaloi ishemi cerebrale. Por sëmundja nuk e rrëzoi dot kurrë. Me optimizmin që e karakterizonte, ai e lëshoi një batutë.

“Jam më mirë. Ndoshta dhe nga mosha. Vetëm dy herë më kapi pushka pas kokës, nëse do që të më heq qafe le të më kapë në ballë,”- pohon Deda.

Me ardhjen e demokracisë edhe Zefi e provoi emigrimin. Megjithatë iku për t'u rikthyer sërish. Edhe Zef Deda si të gjithë në vitet e trazirave largohej nga Shqipëria për në Gjermani. Por u kthye në vitin 1996 bashjë me familjen e tij, bashkëshorten Rozën dhe dy djemtë, Julianin dhe Marion. 

LOTËT E ZEFIT

Në të gjitha intervistat që ka dhënë, Zef Deda nuk e kishte për turp të prekej, sidomos kur binte fjala për publikun e tij, publikun shqiptar. Në një intervistë për emisionin "N’kohë", Zefi nisi të qante teksa thoshte se në Shqipëri kishte marrë duartrokitje, dashuri dhe vlerësime si në asnjë vend tjetër ku ka performuar. 

PJESË NGA INTERVISTA:

Pyetje: Ju keni një jetë që i keni dedikuar shpirtin artit, kur ktheni kokën pas, a ndjeheni i vlerësuar nga ky vend, apo ishte një fatkeqësi që lindët në Shqipëri?

Zef Deda: Fati më i mirë që kam qëlluar në Shqipëri, për arsye se është një popull që…(Loton) Unë jam aktor komedian, por kam mbresat e mia për popullin tem, është popull i dashtun, është kaq artdashës, kaq i kulturum sa të kupton dhe nuk të largon kurrë veç të afron. Ka pasion, shko ku të duash dhe na kujtojnë. Edhe jashtë na kanë vlerësuar, por si ky popull nuk ka... Më kanë dhënë tituj sa të duash, lëvdime sa të duash, po ça dua më unë.

Por kishte dashurinë e publikut, jo mirëqënien. E ka thënë kurdoherë me zë të lartë, edhe për të tjerë që nuk flasin dot, se ndonëse ishte “Mjeshtër i Madh” rroga e tij ka qenë e ulët.

“Sa isha në punë të gjitha i paguaja vetë, tani që jam në pension shoh tavolinën, jam pensionist. “Mjeshtër i Madh” por rroga ka qenë e vogël, megjithatë prapë ja kemi bërë qejfin vetes”, u shpreh aktori.

POLITIKA

Ishte i veçantë, por edhe i dashuruar me çdo gjë ndryshe. Kurrë nuk i ka fshehur bindjet e tij, duke u shfaqur disa herë pranë liderëve të Partisë Demokratike. Politika i bëri dhe një nder të vonuar, për një artist të kalibrit të tij. E dekoroi në të njëjtën ditë më të birin. Në 2017, asokohe presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: Në vlerësim të interpretimeve origjinale e të spikatura, në skenat teatrore dhe ekranet televizive, duke arritur me meritë të shndërrohet në njërin prej aktorëve më të vlerësuar e të duartrokitur të publikut shqiptar.

E me duartrokitje do përcillet edhe në banesën e fundit! Edhe pse jo mes nesh, do të vazhdojë të na bëjë për të qeshur me artin që la pas e që do të jetojë përgjithmonë për të përjetësuar emrin e tij. Faleminderit Zef!/Zëri.ai

Poll

MOS HUMB