
SHKODËR- Pas lajmit të trishtë për ndarrjen nga jeta të aktorit të madh të humorit Zef Deda, nuk kanë munguar ngushëllimet dhe reagimet prekëse nga miqtë, partnerët e tij në skenë dhe figurat politike. Djali i tij Julian Deda njoftoi se homazhet do të bëhen në Teatrin “Migjeni".
Aktori i njohur i humorit, Edmond Halili ka treguar se mëngjesin e sotëm ishte nisur nga Durrësi për të takuar Zef Dedën, por nuk mundi ta takojë dot pasi në momentin që mbërriti tek dera e shtëpisë së tij në Shkodër, mjeshtri i humorit u nda nga jeta.

“Sot në mëngjes u nisa nga Durrësi për ta takuar. E dija që ishte i sëmurë sepse bëra një shfaqje në Shkodër se takova dot sepse ishte i zënë, Sa shkova tek dera e shtëpisë, doli një infermiere i thashë si është Zefi, tha “Zefi dha shpirt”. Më erdhi shumë keq, e kisha shokë të vjetër. Është një dhimbje e madhe, është humbje e madhe për të gjithë humorin shqiptar”, tha ai.
Po ashtu aktorja e njohur, Drande Xhaj ka rrëfyer mes lotësh se mjeshtri i humorit, Zef Deda është diagnostikuar me sëmundjen e rëndë rreth një vit më parë. Ndërsa tregoi se e takoi për herë të fundit dy ditë më parë për t’u interesuar për shëndetin e tij, Xhaj u shpreh se largimi nga jeta i aktorit Zef Deda i ka shkaktuar dhimbje të madhe.

“Para dy netësh shkova e takova, kemi shkuar më papara, jemi interesuar për shëndetin e tij. Ishte i ri për tu larguar nga jeta, na la një dhimbje të madhe. Është Chaplin shqiptar, është aktor fenomen. E kemi dashur, kemi ndarë gjithçka me të, na mungon jo vetëm si artist, por edhe si njeri. Ka dy muaj që ishte në shtëpi dhe nuk lëvizte, është konstatuar gati një vit më përpara. Por nuk pranoi të rrinte në shtrat, ka dalë ka lëvizur, e kemi takuar. Ka shëtitur edhe pse ishte i lodhur, Shpirti i tij prej artisti nuk e pranoi, ai s’ka ikur, do jetë përjetësisht në familjet shqiptare”, tha aktorja Drande Xhaj.
Mes trishtimit edhe aktori Sejfulla Myftari, i njohur si Cekja i Beratit, tregoi njohjen e tij të hershme me aktorin Zef Deda. I pikëlluar tregoi se në takimin e fundit kishte kujtuar shfaqjet e tyre që kishin luajtur bashkë.

“Me Zefin kam punuar. E kam pasur shok dhe mik. Është humbje e madhe për artin. Nuk kam fjalë, s’di ça të them më. Që nga vitit 73 që punoja me Zefin. Kujtuam ato që kemi luajtur bashkë. Kemi pasur hyrje-dalje. Aktor i mrekullueshëm, njeri i shkëlqyer”, tha ai.
Miku i tij i fëmijërisë, regjisori dhe kompozitori Osman Mula, u shpreh pë News24 se e ka ndjerë veten shumë keq në momentin që mori vesh lajmin e hidhur.
"E ndjeva veten keq, sepse Zefin e kam pas shokun më të ngushtë që i vogël. Kemi qenë si Coli me Lolin. Ishte një djal i mrekullueshëm, xhevahir. Njeri social, nuk donte me pa keq, donte vetëm gëzim. Shumë shpejt u pa që jetën do të kishte në skenë. Që i vogël ai nisi me imitimet dhe tregoi talentin e tij. Isha para 3 javësh atje në Shkodër, por nuk shkova ta shoh, se nuk doja ta shihja në atë gjendje. Sa herë që shkoja atje, nuk rrija pa e takuar Zefin. Zefi ka qenë një djalosh që e ka pasur qejf teatrin, e donte shumë trupën e vet dhe trupa e donte atë. Ai ka qenë një djalë model, ai kur ishte në teatër edhe po t’i thoja shko na marr ja 3 byrek shkonte. Ai ishte njeri i madh në skenë, por jashtë saj ishte një njeri shumë i thjeshtë. Zefi ka kënduar edhe në opera në Shkodër. Zefi e filloi duke mësuar klarinetën për një vit. Por ai nuk rrinte dot në një vend për të mësuar, ai donte që për një vit të mësonte 70 profesione,"- u shpreh Mula.
Nuk kanë munguar ngushëllimet as nga figurat politike, të cilët kanë shprehur se sot është një ditë zi e për artin shqiptar. Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtu një minutë heshtje në nder të tij.
“Sot është ditë zi e për artin, skenën, Shkodrën dhe artdashësit në mbarë Shqipërinë pasi dielli perëndoi përgjithmonë për artistin e mirënjohur të talentuar Zef Deda, ishte një artist që të gjithë dhuntinë e tij ia kushtoi të vërtetave të mëdha të artit dhe shoqërinë. Ai u nda nga jeta para kohe, duke pasur mundësi për të kapur maja të tjera në skenë dhe art. Por mbetet i pavdekshëm me trashëgiminë e tij të shkëlqyer që le. Shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmeve, komunitetit artistik dhe qytetarëve të Shkodrës e mbarë Shqipërisë për këtë humbje të madhe. E nderojmë me një minutë heshtje, Zef Dedën”, tha Berisha.
Edhe kryeministri Edi Rama iu është bashkuar reagimeve për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur të humorit, Zef Deda.
"LAMTUMIRË i dashur Zef ”, shkruan Rama, ndërsa ka postuar dhe një foto të aktorit të ndjerë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Mjeshtrit të Madh, aktorit të humorit Zef Deda.
"Fort i trishtueshëm lajmi për ndarjen nga jeta të emblemës së humorit shqiptar, aktorit Zef Deda. U prehsh në paqe Mjeshtër i Madh”, thekson Veliaj.
Aktori i mirënjohur i humorit, Zef Deda është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 73-vjeçare. Aktori mësohet se vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Zef Deda ka qenë një nga komedianët më të mirë në vend, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Dy djemtë e aktorit, Julian dhe Mario Deda kanë vendosur një fiongo të zezë në shenjë zie në rrjetet sociale./Zëri.ai