
ITALI – Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë miqësoren e parë në mars ndaj Kilit. Federata Shqiptare e Futbollit ka rënë dakord me Federatën Kombëtare të Kilit, që ndeshja miqësore të luhet në stadiumin “Enio Tardini”, në Parma të Italisë, më 22 mars, ora 20:45 minuta.
Ekipi ynë kombëtar luan për herë të parë në histori ndaj përfaqësueses së Kilit. Kilianët janë ndër ekipet kombëtare më me histori në Amerikën Latine. Ata kanë fituar dy herë Copa America-n dhe kanë qenë pjesëmarrës disa herë në finalet e Kupës së Botës.
Tre ditë më vonë, më 25 mars, Shqipëria do të luajë edhe miqësoren e dytë të këtij muaji ndaj Suedisë në Stokholm. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Friends Arena”, në orën 19:00.
Dy ndeshjet zhvillohen në kuadër të përgatitjeve të përfaqësueses sonë, përpara se të nisin ndeshjet e grupeve të Europianit, ku përballë do të kemi Spanjën, Italinë dhe Kroacinë./ZËRI/