
GJERMANI- Ish-futbollisti gjerman Bastian Schweinsteiger dhe tenistja serbe Ana Ivanoviç po kalojnë një krizë të thellë në martesën e tyre dhe po përballen me një ndarje të mundshme pas nëntë vitesh lidhje. Ish-ylli i Bayern Munichut dhe lojtari kryesor në triumfin e Gjermanisë në Kupën e Botës 2014 në Brazil u martua me ish-tenisten, me të cilën ka tre fëmijë. Sipas gazetës gjermane "Bild", çifti është në krizë për shkak të kohës që kalojnë me njëri-tjetrin, pasi ish-mesfushori bën udhëtime të vazhdueshme nëpër botë, ndërsa Ivanoviç qëndron në Beograd, qyteti ku banon me fëmijët.

Aktualisht, Schweinsteiger (40 vjeç) ndodhet në Xhakartë të Indonezisë, ndërsa Ivanoviç qëndron në vendlindjen e saj. Të dy janë parë rrallë herë në publik gjatë muajve të fundit. Hera e fundit ishte në shtator 2024 gjatë turneut të tenisit "Laver Cup" në Berlin. Në rrjetet sociale, postimi i tyre më i fundit i përbashkët ishte nga dhjetori i vitit të kaluar kur ata vizituan një treg Krishtlindjesh në Vjenë.
Edhe pse ata ndanë një histori të përbashkët në Instagram dy javë më parë, postimi ishte një video promovuese e regjistruar si pjesë e bashkëpunimit të tyre si ambasadorë të markës së modës "BRAX". Kjo vetëm sa i nxiti spekulimet për situatën e vërtetë të marrëdhënies së tyre personale. Sipas Bild, njerëzit e afërt të çiftit ia atribuojnë tensionet mungesave të shpeshta të Schweinsteiger, gjë që ka çuar në një dinamikë të pabalancuar familjare. Gazeta kontaktoi edhe me menaxherët e ish-futbollistit, por këta të fundit u shprehën se nuk e kishin tagrin që të komentonin çështje private.

Schweinsteiger dhe Ivanoviç u takuan në Nju Jork në vitin 2014. Menjëherë pas kësaj, ai i propozoi asaj në një park të Londrës. Ivanoviç u tërhoq nga sporti profesional në fund të 2016, në të njëjtin vit kur u martuan. Në atë kohë, Schweinsteiger ishte duke luajtur për Manchester United, megjithëse koha e tij me klubin anglez përfundoi në mars 2017 me transferimin e tij në Chicago Fire of Major League Soccer. Gjatë karrierës së tij, Bastian bëri 121 paraqitje për kombëtaren gjermane, duke fituar Kupën e Botës FIFA 2014 në Brazil. Ai gjithashtu fitoi Ligën e Kampionëve të UEFA-s me Bayern Munich në 2013, ku luajti për 17 vjet, duke bërë mbi 500 paraqitje për ekipin më të rëndësishëm në futbollin gjerman dhe ku fitoi tituj të shumtë të Bundesligës dhe Kupës së Gjermanisë. Që nga pensionimi, Schweinsteiger ka punuar si komentator sportiv për televizionet gjermane, ndërsa ish-atletja serbe është fokusuar në detyrat familjare dhe paraqitjet publike si fytyra e disa markave ndërkombëtare./ZËRI