
ITALI – Kombëtarja Shqiptare ka “ndezur motorët” për Europianin e Gjermanisë. Kuqezinjtë do të luajnë tashmë dy miqësore në muajin mars. Si fillim, kuqezinjtë do të luajnë në Parma më 22 mars me Kilin. Ndërsa, më 25 mars do të luajnë me Suedinë në Stohkolm.
Stafi i ekipit tonë kombëtar nuk ka mbetur me kaq, por po kërkon kundërshtarë në miqësore në periudhën 14 qershor - 14 korrik 2024. Tashmë trajneri brazilian Sylvinho ka ndërmend që të bëjë një tur në Europë, që të takojë yjet e Kombëtares. Mësohet se ai do të udhëtojë për në Angli përpara se të luhen miqësoret dhe do ketë takim “kokë më kokë” me sulmuesin e Fulham, Armando Broja.
Sylvinho do ta shohë nga afër ndeshjen ndërmjet Manchester United dhe Fulham, që do të luhet më 24 shkurt. Sylvinho pritet që të diskutojë nga afër edhe me trajnerin e Fulhamit, Marco Silva, për formën e sulmuesit shqiptar. Pas Anglisë, trajneri i përfaqësueses sonë do të shkojë në Spanjë, ku do të takojë Myrto Uzunin, Keidi Baren dhe Ivan Balliun. Më pas do të shkojë në Turqi, ku nuk përjashtohet mundësia që të takojë Manajn, lushnjarin që po tregon formë tepër të mirë për momentin.
Gjatë verës, pritet të nisë Euro 2024, ku merr pjesë edhe Shqipëria. Kuqezinjtë janë në grupin “e ferrit”, aty ku do të jenë përballë “të mëdhenjve”, Italisë, Kroacisë dhe Spanjës./ZËRI/