
TIRANË- Mesfushori kuqezi, Klaus Gjasula, ka vendosur të tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare. Lajmin e ka bërë të ditur FSHF (Federata Shqiptare e Futbollit) me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku njofton se 34-vjeçari është tërhequr nga ekipi kombëtar.
“5 vite kuqezi. Gjithmonë gati për të luftuar! Klaus Gjasula, pas #Euro2024, ka vendosur të tërhiqet nga Kombëtarja dhe FSHF e falënderon pafundësisht mesfushorin për kontributin e dhënë në fushë dhe jashtë saj. Klausi gjithmonë ka qenë një shembull në Kombëtare me angazhimin dhe sjelljen e tij. Faleminderit luftëtar!”, shkruan FSHF.
Gjithashtu edhe mesfushori 34-vjeçar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale njoftoi tërheqjen e tij nga kombëtarja. Ndër të tjera, Gjasula u shpreh se e realizoi ëndrrën e tij për të luajtur me kombëtaren, por gjithashtu është koha për t’i hapur rrugën të rinjve.
“Të dashur miq,
E kisha ëndërruar gjithmonë të luaja me Kombëtaren dhe e realizova. Isha në një Europian, shënova një gol dhe u ndjeva njeriu më i lumtur në botë. Nëse kthej kokën pas, kam plot momente të bukura me fanellën kuqezi, që nga grumbullimi i parë, te ndeshja debutuese ndaj Francës në “Stade de France” dhe tek ajo e fundit ndaj Kroacisë në Euro 2024. Edhe kur e mendoj tani ende dridhem nga emocionet.
Gjithsesi, jam menduar shumë kohët e fundit dhe me ftohtësi kam gjykuar e kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja. Është vendimi i duhur për t’u hapur rrugën të rinjve, që Kombëtarja jonë fatmirësisht ka shumë. Unë e realizova ëndrrën time dhe tani është koha për të tjerë që ta plotësojnë dhe ta jetojnë atë ëndërr.
Pas pesë vitesh do të kem mundësinë të vij në stadium dhe ta mbështes Kombëtaren tonë si tifoz. I jam falënderues Zotit, familjes time dhe të gjithë njerëzve që më kanë qëndruar pranë në çdo moment dhe kanë bësuar tek unë.
Në veçanti dua të falënderoj edhe Federatën Shqiptare të Futbollit, Presidentin Armand Duka, trajnerët më të cilët kam punuar, Edoardo Reja dhe Sylvio Mendes Campos Junior, stafin teknik të Kombëtares dhe të gjithë bashkëlojtarët që ndamë këtë rrugëtim, që për mua është më i veçanti.
Sukseset e arritura nuk do të ishin të mundura pa tifozët më të mirë në botë, ata të cilët na kanë mbështetur gjithmonë, si në humbje, fitore apo barazim.
Faleminderit nga zemra të gjithë tifozëve kuqezi.
Për mua ishte nder dhe krenari të vishja fanellën e Kombëtares!”, shkruan Gjasula.
Gjasula numëron 29 ndeshje me Kombëtaren, dhe debutoi më 7 shtator 2019 në ndeshjen Francë-Shqipëri. Ai gjithashtu ishte pjesë e Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, aty ku edhe shënoi për herë të parë në sfidën e paharrueshme Kroaci – Shqipëri, që përfundoi në barazim 2-2. /ZËRI